Në Portin e Barit në Itali, fluksi i emigrantëve që kthehen për pushime është shumë i madh. Radhët kanë shkaktuar probleme me transportin e mallrave. Në Bari kanë mbetur të bllokuar nga 7 deri në 10 ditë rreth 70 kamionë transporti mallrash, të cilët nuk po i imbarkojnë në tragete për në Durrës.

Shoferët kanë kontaktuar gjatë orëve të natës me mediat, ku na kanë nisur edhe pamje për të publikuar shqetësimin e tyre. Shqetësimi është i lidhur me bllokimin e kamionëve të transportit të mallrave, dhe shqetësimin për mungesat e lëndëve të para që priten të vijnë me këto kamionë në ndërmarrjet e ndryshme të Durrësit dhe të vendit.

Ata kanë deklaruar në linjë telefonike se shoqëritë e transportit të trageteve që punojnë me kapacitet të plotë ndërkohë kanë rritur ndjeshëm çmimin e biletave për kamionët, por tashmë po u japin përparësi mjeteve të vogla të transportit që zenë pak vend në tragete dhe paguajnë shumë.

Për shqetësimin e tyre ata kanë telefonuar edhe në konsullatën shqiptare të Barit, por theksojnë se askush nuk u është përgjigjur. Ata kanë bërë me dije se ky fluks veturash është vetëm 2 herë në vit, ndërsa kamionët bëjnë rreth 5 rrugë çdo muaj. Ndërkohë po transmetojmë edhe video të sjellë nga shoferët e indinjuar nga bllokimi që u është bërë.

K.H.