Rradhë kilometrike mjetesh të tonazhit të rëndë në portin e Durrësit. Siç duket mjaft qartë në pamjet filmike të mbërritura në redaksinë e “DurrësLajm”, drejtuesit e kamionëve dhe trajlerave presin për një kohë të gjatë në diell për të mbërritur deri në destinacionin e tyre, terminalin e konteinerëve.
Vapës përvëluese të këtyre ditëve të para të korrikut i shtohet edhe pritja mjaft e gjatë në diell, duke e bërë situatën thuajse të papërballueshme për dhjetëra shoferë.
Në prag të fundjavës së parë të korrikut, siç duket edhe në video, numri i mjeteve të tonazhit të rëndë, që i drejtohen portit më të madh në vend për të ngarkuar apo shkarkuar konteinerët është i pafund.
Nga ana tjetër, procedurat e tejzgjatura të skanimit të çdo kamioni apo trajleri krijojnë vonesa të mëtejshme për përpunimin e këtyre mjeteve.
Radhët e tejzgjatura nuk janë një fenomen i rrallë, por i përditshëm, sidomos në stinën e verës, kur kërkesa e tregut vendas për mallra të importuara dhe ajo e tregut të huaj për produkte “Made in Albania” shtohet ndjeshëm.
Kompleksi portual Porti i Durrësit është një nyje kyçe e transportit në rajon dhe terminali i konteinerëve shërben si një pikë e rëndësishme përpunimi edhe për Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Përpunimi i konteinerëve bëhet vetëm në portin e Durrësit dhe kjo shpjegon edhe numrin mjaft të lartë të mjeteve të tomazhit të rëndë, që paraqiten çdo ditë në hapësirat portuale.
Sipas statistikave të Autooritetit Portual Durrës, volumi i përpunimit të mallrave për 5-mujorin e parë të vitit 2025, arriti në afro 45 mijë njësi konteinerike import – eksport.
M.B.





