Shqipëria çdo vit po bëhet gjithnjë e më e njohur në mesin e turistëve, jo vetëm për atraksionet e shumta, por edhe për çmimet e lira.
Kështu e nis shkrimin media polake “Radio Eska” që nënvizon faktin se vendi ynë po kthehet në një destinacion ideal edhe për pushuesit polakë.
“Përveç relaksit në resorte, turistët mund të eksplorojnë edhe brigje të panjohura. Arsyeja pse Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar është falë plazheve të bukura si ato të Ksamilit, Gjipesë, Dhërmiut, Borshit, Drimadhës, Jalës dhe Sarandës. Por Shqipëria ofron më shumë se kaq. Vizitorët mund të admirojnë peizazhet e mrekullueshme duke nisur nga lagunat, shpellat dhe malet”.
“E për ata që janë të apasionuar pas malit nuk duhet të lënë pa vizituar Alpet Shqiptare dhe liqenin e Komanit i rrethuar nga kodra të shumta”.
Ndër të tjera në artikull rekomandohen të vizitohen Berati dhe Gjirokastra, dy qytete të cilat janë të përfshira në listën e UNESCO-s.
Klima mesdhetare, por edhe çmimet e lira janë ato çfarë po tërheqin më shumë turistët. Vizitorët mund të akomodohen me çmime që variojnë nga 15 euro deri në afërsisht 170 euro për natë. Një nga çmimet më të ulëta të ofruara nga agjencitë e udhëtimit është afërsisht 320 euro për person për shtatë net mes shumë paketave të ndryshme që ofrojnë agjenci të ndryshme turistike.