DURRËS, 7 shtator 2014 – Media shtetërore Radio e Jashtme e Kinës në gjuhën shqipe konfirmon lajmin e 6 shtatorit 2014 të “Dyrrah”-ut (kliko në: http://www.durreslajm.com/politike/kryeministri-rama-nga-uellsi-n%C3%AB-pekinhttp://www.durreslajm.com/politike/kryeministri-rama-nga-uellsi-n%C3%AB-pekin) mbi vizitën e Kryeministrit z. Edi Rama në Republikën Popullore të Kinës, ndonëse ende zyra e shtypit e qeverisë nuk ka bërë njoftim zyrtar.
Në faqen e parë të ueb-it të Radios së Jashtme të Kinës (shih faksimilet dhe kliko në http://albanian.cri.cn/284/2014/09/04/Zt182s134746.htm) është dhënë njoftimi se Kryeministri z. Edi Rama do të jetë në Kinë për një vizitë zyrtare në datat 9-13 shator 2014.
Njoftimi përmban një biografi të z. Edi Rama dhe shoqërohet me “Pyetjet tuaja për kryeministrin Edi Rama”
1. Z. kryeministër kjo është vizita juaj e parë në Kinë pas marrjes së postit të kryeministrit vitin e kaluar dhe çfarë pritshmërish keni nga kjo vizitë?
2. Vitet e fundit është shtuar bashkëpunimi mes Kinës dhe Evropës Qendrore e Lindore dhe janë zgjeruar fushat e këtij bashkëpunimi. A mund të na thoni se cilat fusha qeveria shqiptare i sheh me përparësi në zhvillimin e bashkëpunimit me palën kineze dhe a keni hartuar ndonjë plan për këtë bashkëpunim?
3. Shqipëria ka fituar tashmë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Në cilat drejtime planifikon të punojë më shumë qeveria juaj për të realizuar anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në BE?
4. Keni zhvilluar një sërë aktivitetesh, me synim përmirësimin e kushteve të shërbimit turistik të vendit, si pastrimi i plazhit, rregullimi i mjedisit në zonat turistike etj. Çfarë masash të tjera mendoni të merrni në këtë drejtim dhe çfarë përvojash do të dëshironit që turistët e huaj, përfshirë edhe ata kinezë, të përjetonin në Shqipëri?
Sikurse njoftoi “Dyrrah”-u, në delegacionin shqiptar merr pjesë dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, i cili mund të kontaktojë me homologët e tij të qytetit Ningbo, që kanë propozuar binjakëzimin me qytetin nr. 2 të Shqipërisë.
Qyteti Ningbo ka portin e pestë më të madh në botë.
Ningbo ka bërë binjakëzime me shumë qytete evropiane si Firence dhe Verona të Italisë, Rouen në Francë, Aachen në Gjermani, Rijeka në Kroaci etj.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2010, bashkia ka një popullsi 7 605 700 banorë, prej të cilëve 3 491 000 në zonën urbane.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





