“I prekur nga respekti dhe mirënjohja për punën e jashtëzakonshme të kryer”
Nga BUJAR QESJA
Në pamje duket se i bie të shkruaj për vete. Por në brendësi e në logjikë, është jeta ime e ngarkuar me shumë punë, me shumë lodhje, me shumë mundime, me shumë sakrificë dhe me shumë përkushtim e bindje për tia dalë, që i meriton këto rradhë. Fare i ri u lidha me Radio Tiranën fillimisht me rubrikën sportive të mbrëmjes dhe më pas edhe si zanatli i profesionit të gazetarit. Praktikën e gazetarisë e kam bërë në Radio Tirana dhe profesori im ishte, i madhështori i mikrofonit, Agron Çobani.
Mund të jenë 400, apo 500 ndeshje që kam transmetuar deri në atë 22 shtator 2004, kur jam goditur nga infarkte akute të miokardit dhe që më pas zemra ime iu nënshtrua një operacionit nga më të vështirat, në një prej klinikave më të specializuara kardiovaskulare në Bolonja të Italisë. Ishte mjeshtëria e kardiokirurgut të famshëm italian, i njohur edhe në botën mjekësore që mori përsipër ti shpëtonte jetën shqiptarit Bujar Qesja. Dhe ia shpëtoi, duke ardhur deri këtu, e duke shpresuar për udhëtime të tjera jetësore. Tansmetimet e mëpasme ishin të pamundura, pasi fuqia fzike dhe frymore, krijonte rreziqe për zemrën tashmë prej 20 vitesh të operuar.
18 dhjetor 2024. Pa më shkuar kurrë në mëndje, se do të ishte Belshi i bukur dhe tërheqës, se do të ishte resorti luksoz “Perla e Dumresë” me pronar të mirin Gramoz Ferhati, se do të ishte nisma për të mbledhur ajkën e radiokronistëve sportivë dhe jo vetëm të radio Tiranës, pjesë e emisionit aq popullor “Nga njëra ndeshje në tjetrën” nga gazetari i mirenjohur Fatmir Popja, do ti ofronte jetës time publiçistike dhe veçanërisht në raport me Radio Tiranën, vlerësim dhe mirenjohje që drejt me thanë më ka gëzuar.
Do të ishte mjeshtri i mikrofonit, njeriu i dashur dhe i respektuar Defrim Methasani, moderatorja e emisionit që e drejton me aq finesë dhe me elekuencë tërheqëse të zërit Erga Kruja, në prezencë të gjithë zotërinjve të mikrofonit të vendit që iniciuan ceremoninë festive, për t’i dhënë gazetarit Bujar Qesja çmimin “Ylli i Karrierës”.
Argumenti fare i lehtë. Për angazhimet aktive, pikante dhe profesionale në mikrofonin e Radio Tiranës, në shërbim të shijes dhe vëmëndjes së dëgjuesve të shumtë brenda dhe jashtë Atdheut, duke mbetur pse jo dhe preferencë historike e kësaj përpjekje.
U nisa nga Durrësi në shoqërinë e Fatmir Eficës, një tjetër mrekulli i mikrofonit dhe të djaloshti të ri rrogozhinas, energjikut dhe pasionantit Aldo Buzi. Pastaj në “Perla e Dumresë”, takimi festiv ndërmjet miqsh, kolegësh e shokësh të hershëm, kaloi fiks si një perlë. Fatmir Popja ka meritën se ishte mikpritësi, duke rrokur bashëpunimin dhe mirekuptimin me administratorin Gramoz Ferhati.
E gjithçka tjetër më pas kaloi në shinat profesionale, të zërit dhe figurës, të aftësisë dhe mjeshtërisë së rrallë, falë respektit dhe vlerësimit të një portreti të njohur të radios, televizionit dhe shtypit të shkruar, moderoi, duke i dhënë nga gjaku dhe shpirti i tij përkushtues Defrim Methasani.
Kjo jo se i dha Bujar Qesjes, me përkrahjen e Erga Krujës çmimin “Ylli i karrierës”, por mirënjohja dhe respekti i kaloj kufijtë. Sa e domosdoshme për çdo njërin, por sidomos për një profesionist 73 vjeçar si unë. Kam marrë shumë tituj, nuk më janë kursyer, por kjo e Belshit e 18 dhjetorit 2024, në vigjilje të vitit të ri 2025 më shijoi, më gëzoi, më hodhi në krahët e kënaqësisë dhe e çfaqa zërin deri në fund: Ju faleminderit!
Nderimi dhe mirënjohja i bëjnë fajde, këtij brezit ku jam unë tani. Ana materiale është si është, por kjo shpirtërorja na gëzon ca më shumë. Sepse po t’u ngroh shpirti, po të këndoj zemra, gjithçka më tej duket e mrekullueshme. Pasi Defrim Methasani nëpërmjet të shprehurit, m’u duk se më dha gjithçka që më mungonte deri këtu. Kur Erga Kruja ma dorëzoi atë yll të bukur të karrierës të punës time, që auditori e quajti yll më vete, m’u duk sikur ky vlerësim shkoi deri në galaktikë.
Sa të nevojshme e kanë njerzit t’u bëhet një vlerësim, t’u dhurohet qoftë edhe një gisht letër, ku t’i shprehet mirnjohja për punën e kryer, pasi me folur drejt bëhet pak ose aspak.
Erdha me një makinë të vogël në Belsh. Por kur u ktheva, m’u duk sikur isha vendosur në një makinë gjigande dhe përshëndetja njerëzinë, sikur ta dinin që kisha një gëzim të madh. Një kuti e vogël shtrënguar në gjoksin tim. Por brenda ishte një yll, me përmasat e kutisë.
Por ky yll nuk matet, nuk ka dimension. Pasi puna dhe përpjekjet e një gazetari me jetë 50 vjeçare profesionale, duke ia bërë vlerësimin në përmasa shpirtërore, respekti dhe mirnjohje, i kthehet në një yll gjigand, shumë, shumë të madh. Është ylli që mat një jetë, një profesion, punën e një njeriu.
Dhe kjo vlen më shumë se gjithçka. Suksese miq, shokë, e kolegë “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, por veçanërisht Fatmir Efica, Moisi Dalipaj, Isuf Myrtaj, Bashkim Tufa, Fatmir Popja, Xhevdet Zeka, Gani Pemaj, Edmond Dibra, Aldo Buzi, Abdulla Dushku dhe të gjithë të pranishmëve të tjerë, që u gëzuat dukshëm nga ky vlerësim.
Suksese Erga Kruja! I pamatshëm përkushtimi, dëshira dhe shpirti yt Defrim Methasani, që kërkon të bësh mirë dhe të nxjerrësh vlera. Më keni dhënë shumë kënaqësi.
Janë kënaqësi njerëzore. Sa mirë! Sa bukur! Gëzuar 2025!
Bujar Qesja
Durrës: 19 dhjetor 2024