Rripi i Gazës ndodhet në prag të një katastrofe të re humanitare, pasi qindra mijëra banorë të zhvendosur po kërkojnë strehim, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë avancimin në qytetin e Rafahut.
Një ditë pasi Izraeli deklaroi synimin për të marrë nën kontroll zona të mëdha të enklavës, trupat izraelite hynë në Rafah, qytetin jugor që kishte shërbyer si streha e fundit për mijëra palestinezë të shpërngulur nga zonat e tjera gjatë luftës. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi të paktën 97 të vrarë në 24 orët e fundit, mes tyre 20 persona në një sulm ajror në periferi të Shejaia.
“Rafah nuk ekziston më, po fshihet,” tha një banor për agjencinë Reuters, ndërsa mijëra njerëz po largohen drejt Khan Younis, duke lënë pas rrënojat e jetës së tyre. Adel Abu Fakher, një tjetër banor, po kontrollonte dëmet e shkaktuara në tendën e tij pas një sulmi që la disa të vrarë në Khan Younis.
“Në mes të natës, avionët izraelitë goditën shtëpinë pranë nesh. Tarraca u shemb mbi ne, mbeturinat plagosën fëmijët tanë, dhe çatia e fqinjit mori flakë,” tha Inas Al-Aqqad, e cila humbi bashkëshortin e saj si pasojë e lëndimeve të marra.
Izraeli nuk ka përcaktuar ende objektivat afatgjata për zonën e sigurisë që po pushton, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu përmendi se trupat izraelite po marrin nën kontroll një zonë të quajtur “Boshti Morag”, një referencë për një ish-vendbanim izraelit të braktisur mes Rafahut dhe Khan Younis.
Ndërkohë, banorët që ishin rikthyer në shtëpitë e tyre gjatë periudhave të armëpushimit, tani janë urdhëruar të largohen sërish nga zonat veriore dhe jugore të Gazës. Ata kanë frikë se Izraeli synon të shpopullojë këto rajone për një kohë të pacaktuar, duke lënë qindra mijëra njerëz të pastrehë në një nga territoret më të varfra dhe më të dendura në botë.