Nga Bujar Qesja

Më tërhoqi vëmëndjen një publikim që pushtoi rrjetet sociale, por që dukshëm u çfaq edhe në pjesë të prekshme të Durrësit. Njoftohej se nën kujdesin e Raimonda Kamberit, zhvillohej në mes të gushtit, një koncert me këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Ky koncert vlerat i kishte në nostalgjinë e këngës, në afrimin e emrave të famshëm të muzikës së lehtë kombëtare, që dinë të këndojnë dhe të pëlqehen. Bëhet fjalë për steka të tilla të interpretimit si Luan Zhegu, Alida Hisku, Liliana Kondakçi, Kozma Dushi, Bashkim Alibali, Besnik Krajku etj. Por këto yje do të performonin paralelisht me këngëtarët vendas Hysni Alushi, Enkeleda Arifi, Dhimitër Stefa, Namik Sadiku, Ylli Çifti dhe Lorenc Barometa.

Me këtë nismë madhore, Raimonda Kamberi testonte aftësitë e saj të shkëlqyera organizative dhe nxirrte në pah popullaritetin dhe autoritetin e saj tek kolegët këngëtarë, por para së gjithash tek publiku i gjërë i Durrësit. Kjo Raimondë, kjo durrsake e hershme, është në Greqi prej mëse 30 vitesh. Me mundin e saj dhe të bashkëshortit Uran Ramadhi, ngritën një dyqan parukerie dhe e kanë bërë nga më të famshmet në Athinë.

Kënga në vokalin e saj qendronte si trëndafil dhe ia skuqte më shumë buzët e hijshme, që nxirrnin vargje dhe petale. Dhe kjo durrsake, dhe kjo shqiptare me krenarinë që vinte nga gjaku i saj i Arbërit, me mënçurinë dhe zgjuarsinë e një të përkushtuare ndaj punës dhe profesionit, ngriti lart emrin dhe konkurencën. Por këngën e mbante poshtë “jastëkut”, ku edhe natën buzët e saj lëviznin, duke i ngjarë tastierave të shtypura të pianos.

Monda Kamberi, u kthye në vlerë e krenari në tokë të huaj. Punoi fort, dashuroi fort, krijoi një familje të fortë, ndërtoi biznes të fortë dhe të qendrueshëm, por nuk harroi të ruaj zërin, këtë dhuratë të çmuar dhënë nga Zoti. Në dukje si e lënë në harresë, pasi u bënë shumë vite që Monda e jonë e bukur, nusja e përhershme e këngës durrsake, luftonte me vështirësi të mëdha. Mbijetesa në tokë të huaj, cilido që e ka provuar e ndjen se sa e madhe është.

Dhe Monda Ramadhi, punonte në ritmin e këngëve dhe melodive të njohura me motive nga toka amë, por pa harruar edhe tingujt magjepës të këngëve greke. Në mëndje këndonte dhe vetëm këndonte. Nuk harrohet gjuha. Nuk harrohet vendlindja. Nuk harrohet familja. Nuk harrohen fëmijëria dhe hapat e para ku nisi të shpërthejë vokali i saj hipnotizues. Gjithçka është rregjistruar në shiritin gjigand të kujtesës, të asaj kujtese që është kthyer në vetë identitetin e saj.

Pas fillimit të demokracisë çliruese, duke mos e parë prej dhjetra vitesh, përqafohemi me Mondën unë dhe Kostandina tek Namik Sadiku, me 16 gusht 2019, ku u organizua Koncerti madhështor dhe nostalgjik i ndërtuar me këngëtarët durrsakë. Monda, leshverdha e jonë e bukur, hedhur mbi trup kënaqësinë e pamatë të dashurisë së publikut, na vendos kokat e thinjura në gjoksin e saj, që gulçonte nga emocionet dhe respekti i jashtëzakonshëm. Aty e ndjemë se Monda Kamberi, nuk kishte ndryshuar. Ishte e njëjta, me pamje, me zemër, me shpirt të pastër dhe mikja e jonë e përzemërt.

Enver Kamberin e njihnim. Si ekonomist dhe financier i zoti, por edhe si organizator i ndërtimit të grupit të njohur artistik të ndërmarrjes së serrave. Por atë e bëri edhe më të njohur një zë i ëmbël, ëndërrues, ku timbëri i tij ngjasonte me dallgëzimin e lehtë të një deti joshës. Është vajza e tij, e bukura e tij, tërheqësja e tij, vetë Zoti i tij. Është Raimonda. 12-13 vjeçe dhe në sallat kryesore të qytetit, po përhapeshin tingujt magjepës të këngëtares shumë të talentuar dhe që kanë mbetur edhe sot e kësaj dite aty. Kujtesa e shikuesve është aty.

Talenti i Mondës ka një vënd aty. Fillimet janë të vrullshme, befasuese dhe fundi i këngës së interpretuar nga Monda, shoqërohej me një uaaaa… të zgjatur. Çfarë zëri! Çfarë talenti! Më kujtohet, që i gjithë Durrësi ziente dhe flitej për daljen në skenë, të një zëri nderues dhe përfaqësues nga më të mirët.

Herët nisi të punoj e të firmosë në bordero, në fabrikën e duhan cigareve “Telat Noga”. E gjithë fabrika mbulohej me mburrje dhe krenari nga Monda. Kompozitori Tod Kutina punoj me kujdes më vajzën, duke ia rritur karatët e suksesit. Monda! Monda! Shikuesit të ngritur në këmbë thërritnin në kor: Bravo! Bravo! Të lumtë Monda! Ti je zëri i jonë! Dhe detyrimisht kur flet për Mondën e sotme, do ti kujtosh këto, pasi është jeta reale e një këngëtareje, që shkëlqeu në Durrës sapo kishte çelur petalet e para një lule e bukur e këngës.

Rruga drejt mjeshtërisë, hasi edhe në pengesa. Enver Kamberit, iu krijuan probleme nga sistemi. Këto i vuajti edhe vogëlushja e këngës. Zëri i saj u ndal. Çensura si një kohë e vrejtur, shkarkoi re të zeza mbi ecurinë e vajzës. Çfaj kishte! Njerëzit e donin dhe e kërkonin. Zëri i saj kishte forcë, kishte optimizëm, të emociononte dhe krijonte atmosferë. Prandaj edhe duhej ndalur. Përpjekje, vuajtje, dhimbje dhe përjetime. Dhe në zërin e saj lindi sërish dielli, që ringrohu shpirtërat e admiruesve të shumtë.

Monda, Monda, thuajse u bë refren i përhershëm i çfaqjeve dhe publiku duartrokiste pa fund. Madje Monda u rrit dhe u ushqye nga këto duartroktje, të cilat i zgjatën karrierën dhe i mbollën kënaqësinë në shpirt. Në grupet artistike amatore, në grupet qendrore përfaqësuese të qytetit, Raimonda Kamberi ishte shpirti qytetar i këngës. Buzëqeshja e saj ishte e pastër, bash si zemra e bukur kristal. I përkulesh dhe i respektonte njerëzit. Lexohej në fytyrë madhështia e një artisteje, që ruante thjeshtësi dhe naivitet. Dhe kjo ia rriste sinqeritetin.

Këndonte e këndonte pa ndërprerje kjo Monda Kamberi. Emri i saj ishte kryefjala e ditës. Këndoi në Durrës, në Tiranë, në turnetë e estradës dhe pallatit “Rinia”, në çdo cep të Shqipërisë. Fuqia zanore lirike e Mondës jehonte gjithnjë, duke përcjellë ndjenjat dhe mjeshtërinë e interpretimit të njërës prej zërave më të spikatur të skenës.

Kompozitorët durrsakë nxitonin, mbase edhe vraponin për ti dhënë këngë Mondës, duke qenë fort të bindur për suksesin. Raimonda Kamberi me fuqinë e zërit dhe të shpirtit të saj, ku brenda tij ziente apo vlonte pasioni disa herë i ridimensionuar, mbuloi të gjithë veprimtaritë cilësore të këngës në Durrës, festivale, anketa, turne, duke u kthyer në primare e interpretimit.

Fama e Mondës tonë e kaloi Durrësin. Agim Krajka, nuk mund të mos e vlerësonte timbrin tërheqës të vokalit të kësaj pikanteje. Krahas titullareve të këngës popullore si Fitnete Rexha, Naile Hoxha, me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve u rradhit me shumë autoritet edhe durrsakia Raimonda Kamberi. Dyert e shkollimit profesionist, u hapën me shpejtësi. Hysen Koçia, Zeliha Sina dhe Luiza Papa, filluan ti japin leksione në shkollën e kantos popullore. Ramiz Kovaçi punonte tri herë në javë, për rritjen e mjeshtrisë së interpretimit të Mondës në konservatorin e njohur të Tiranës.

Muzikë, muzikë dhe vetëm muzikë për Raimonda Kamberin. Interesimi i artëdashësve të kulturuar vendas, ia rriti edhe më shumë namin. Bukuria në këngë, shoqërohej me bukurinë e shpirtit të një këngëtareje, që vinte gjithnjë në rritje. Si në pallatin “Rinia”, ashtu edhe në estradën profesioniste, vajza e Enver Kamberit krijoi shoqëri me këngëtare të tjera të njohura si Parashqevi Simaku, Engjellushe Laze, Miga Hysi, Jolanda Dhamo, Zija Saraçi, Naim Kërçuku, Petrit Dobjani, duke shtuar respektin edhe për vëllezërit e saj siç i quan interpretuesit e tjerë të këngës si Ylli Çifti, Dhimitër Stefa, Lorenc Barometa etj.

Respekti edhe tani nuk është zbehur, ndaj stekave të kompozimit si Agron Xhunga, Hajg Zaharjan, Ylli Ramzoti, Maksim Shehu, Todi Kutina, dirigjentëve Shaqir Kodra, Nazmi Mici, Jani e Vaso Llapa etj. Suksesi në këngë, krijoi atë xhelozi dhe cmirë tek ndonjë, që kërkonte ti dëmtonte të ardhmen. Emri dhe fama e Raimonda Kamberit morën dhenë.

Pozicioni arkaik, kërkonte t’i vendoste traunin e meskinitetit. E dërrmuan moralisht. E cfilitën shpirtërisht. Lufta e saj për të qendruar në ritmin e këngës, u shoqërua me luftën për t’ia prishur gëzimin, e ndërtuar murin e asaj që quhet shpirtligësi.

Vitet kalojnë. Monda lidhi jetën me Uran Ramadhin, djalin e kuadrit të mirnjohur Enver Ramadhi. Usta dhe zanatçi i mbaruar i kuzhinës ky Ramadh. Emigrimi në Greqi, i dha tjetër pamje jetës së talentes të këngës durrsake Raimonda Kamberi. Vajza e dy intelektualëve me staturë si Enver dhe Kasani Kamberi, dallgët e jetës e dërguan në Egjeun fqinj. Kënga në këto kushte, u mbyll përkohësisht në shpirtin e artistes tonë, për t’u rihapur në momentin më oportun. I dha jetë një dyqani parukerie në mes të Athinës.

E bukura jonë Monda, filloi të zbukuroj kryet e zonjave helene. Edhe puna i dukej Mondës si kënga. Edhe ajo kishte ritmin e saj, me ulje dhe ngritje. Dhe kjo punë dukej edhe si pentagram, ku Monda Kamberi lexonte notat e një sfide, të një jetë krej ndryshe nga ajo e Atdheut të saj, e Durrësit të saj, dashurinë për të cilët zemra kishte vënd të veçantë.

Biznes, por edhe jeta vazhdon. Dy fëmijë si drita, e zbukuruan familjen shqiptare Ramadhi. Lindi djali Irakli dhe vajza Meri. Enver Kamberi pranë fëmijve të vajzës, por më pas edhe pranë dy vajzave të djalit Lulzim, i cili mbaroi studimet e larta për agronomi. Enveri tashmë 86 vjeçar, një këmbë e ka në Athinë, e tjetrën në Atdhe, duke e vendosur pa lëkundur zemrën në anën ku lexohet fjala Durrës. Fëmijët u rritën dhe Ramadhët i dërguan ato për studime në Nju Jork. Djali mbaroi për biznes, ndërsa Meri për drejtësi. Studimet e tyre kanë kaluar, në formatet më të larta të kualifikimit dhe vlerësimet mbeten admiruese.

Irakliu i Ramadhëve, po jep provën e parë në hapjen e një biznesi të kafesë. E Meri, e bukura e mamit dhe e babit, e kërkon ardhmërinë në drejtësinë e kulluar amerikane. Monda e ka bërë rrugën Athinë –Nju Jork, si ne këtu Durrës- Tiranë. Me vrap tek fëmijët. I përqafon. I nxit. I inkurajon për të ecur pa u ndalur, për të çfrytëzuar çdo hapsirë, që u jep kjo Amerikë e madhe e përbotshme. Rikthehet po me vrap drejt Athinës, tek biznesi familjar. Edhe në Durrës çifti Ramadhi ka ngritur aktivitet biznesi, duke e çuar në tre numurin e tyre.

Shembull edhe këtu Monda. Ndonëse po godet fundin e dekadës së gjashtë të jetës, kjo Mondë mbetet një lloj e bukur, njëlloj e hijshme, njëlloj e komunikueshme, njëlloj bujare dhe shoqe e pastër dhe e dlirtë me miqtë dhe shokët. Ardhjet e saj në Durrës, po kthehen në festa të bukura të këngës. A nuk ishin të tilla, ato që u organizuan me 17 dhe 18 gusht? Çfarë interesi ka Monda Kamberi këtu? Po, ka! Një interes shumë të madh. Por jo financiar, por shpirtëror. Dhe kjo do besuar. Tërë jetën besimi në fjalë dhe në vepër, janë tipare të Raimonda Kamberit.

Mblodhi këngëtarë të njohur të rinisë. I erdhi nga Gjermania Alida Hisku, nga princeshat e muzikës së lehtë kombëtare. I erdhi Zhegu Luan, Alibali Bashkim, Dushi Kozma dhe iu bashkuan miqve të vjetër të këngës Namik Sadikut, Dhimitër Stefës, Lorenc Barometës, Ylli Çiftit, Enkeleda Arifit, Hysni Alushit dhe ndërtuan së bashku atë program historik të këngës në Durrës.

Monda iu kthye këngës me vrullin dhe hovin e dikurshëm. Ajo kërkon të bashkoj në një fill të vetëm, këtë skaj të jetës me atë të fillimit dhe të ruhet e njëjta autorsi: Raimonda Kamberi. Gjergj Leka, i biri i dirigjentes së parë shqiptare Rozmari Jorganxhi, ia rihapi biografinë e këngës Mondës. E bëri primo në koncertet e tij të njohura dhe Monda tregoi se nuk e kishte humbur sharmin e dikurshëm.

Tek Monda Kamberi janë rrokur njëherazi dy cilësi, të lidhura në mënyrë të pazgjidhur: dashuria për këngën dhe dashuria për shikuesit. Sinqeriteti dhe ndjeshmëria e kësaj cilësore të këngës, rrjedh si ujvarë dhe lag brigjet shpirtërore të ndjekësve. Monda e ripreku Durrësin, duke riçfaqur autoritetin e dikurshëm. E zotëronte skenën, duke krijuar atë performancë prej kostumit të një artisteje profesioniste.

Monda! Monda! Oshëtinte amfiteatri antik i Durrësit, ku gladiatorët e këngës tërhiqnin amatorët e shumtë drejt kënaqësisë. Dhe Monda Kamberi përshëndeste me dorë në zemër. Ishte ajo zemër, e ndarë përjetësisht me simpatizantët e saj, ku Monda Kamberi doli po aq e bukur, po aq e hijshme, po aq befasuese si dikur kur ngjiste hapat e para drejt lartësive të skenës.

Monda! Monda! Do të thërritet edhe më tej, pasi kjo vogëlushe e dikurshme, kjo vajzë e rritur, kjo grua e zonja, nuk do të dorëzohet asnjëherë para pasionit të saj, para asaj pranvere shpirtërore që ia ka krijuar kënga.

Monda Kamberi ishte dhe mbetet buzëqeshja e këngës, optimistia e përjetshme e saj.

Durrës: 11 shtator 2022