Ende pa u mbyllur mirë jehona e ndeshjes Francë – Shqipëri e cila përfundoi me fitoren e “gjelave” 2-0, një akuzë e rëndë vjen në drejtim të ndihmësit të De Biasit, Paolo Tramezzani, por që prek edhe trajnerin e Kombëtares.

Është ish-trajneri i Vllaznisë, Baldo Raineri i cili menjëherë pas ndeshjes ka lënë një koment tepër domethënës. Ai akuzonte Tramezzani-n që përmes aktivizimit të Frederik Veselit, po tenton që t’i bjerë në sy presidentit të Luganos dhe më pas ky i fundit t’i ofrojë atij postin e trajnerit te kjo skuadër.

Italo-zviceriani i cili shquhet si një person tepër karizmatik, vijon më tej duke thënë se De Biasi dhe Tramezzani nuk e duan Shqipërinë dhe se falë Kombëtares kuqezi u futën në futbollin e rëndësishëm.

“Ndoshta aktivizimi i Veselit vjen pasi Tramezzani dëshiron që të duket dhe t'i fitojë zemrën presidentit të Luganos që ai më pas t’i ofrojë pankinën e skuadrës. Unë i them hapur gjërat në sy. Ata të dy nuk kanë respekt për Shqipërinë, por duhet t’i thonë faleminderit kësaj Kombëtareje që u rifutën sërish në futbollin që vlen. Shpresoj që presidenti Duka të vërë re që në të ardhmen të formojë një Kombëtare akoma më të fortë pa ata të dy. Shqipëria ka vërtet lojtarë cilësorë që po rriten në Perëndim por edhe në Shqipëri. Meritojnë vërtet respekt shtypi, njerëzit, tifozët, sektori i të rinjve dhe shoqëritë që marrin pjesë në futbollin shqiptar”, kanë qenë fjalët e Rainerit.