Shqipëria, në vitin 2016, rezultoi me ritmet më të larta të rritjes ekonomike në rajon dhe investimet ndër më të lartat të huaja, sipas të dhënave krahasuese të Komisionit Europian.

Vendi ynë u zgjerua me 3.5%, e dyta ishte Kosova me 3.4%, ndërsa Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë-Hercegovina panë të gjitha një rritje nën 3%.

Edhe për Investimet e Huaja Direkte, Shqipëria ishte ndër performueset më të mira në rajon me nivelin e IHD-ve prej 8.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si rrjedhojë e projekteve të mëdha, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në Devoll. Për nivelin e IHD-ve, Shqipërisë ia kalon vetëm Mali i Zi në 9.8% të PBB-së, me fokus në turizëm dhe pasuritë e paluajtshme.

Shqipëria ka dhe papunësinë më të ulët në rajon, në 15.6%, por kjo i dedikohet më shumë faktit që rreth 43% e të punësuarve janë në sektorin privat bujqësor, që konsiderohen automatikisht si të vetëpunësuar.

Por, pavarësisht se ka rritjen dhe investimet më të larta në rajon, në treguesit e ekonomisë reale, të dhënat tregojnë se Shqipëria është me ecurinë më të keqe në rritjen e pagave e konsumit, eksportet, prodhimin industrial, kredinë dhe depozitat, indikatorë këta që janë të rëndësishëm për ecurinë reale të ekonomisë e bizneseve dhe mirëqenien e gjithësecilit.

Pagat janë rritur vetëm 0.9% në 2016-n, më e ulëta në rajon, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën. Rritja më e lartë e pagave është shënuar në Mal të Zi (3.5%), Serbi (3.8%) e Maqedoni (2%), ndërsa për Kosovën nuk ka të dhëna.

Me 2.5%, konsumi privat është rritur nën mesataren e rajonit, duke qenë i dyti më i ulëti, pas Serbisë. Ky tregues ishte më i larti në Maqedoni, me plus 4.2%.

Shqipëria është performuesi më i keq për eksportet, teksa shitjet e saj jashtë vendit janë të bazuara në pasuritë natyrore, që varen shumë nga koniunkturat e çmimeve, si dhe në krahun e lirë të fuqisë punëtore. Eksportet e mallrave në Shqipëri ranë me 9.1%, ndërsa në Maqedoni e Serbi, që kanë të zhvilluar prodhimin industrial, u rritën përkatësisht me 11.5%.

Edhe prodhimi industrial në Shqipëri shënoi ecurinë më të keqe, me -6.7%, pasi ai është i varur kryesisht tek industria nxjerrëse. Me rënie, por me ritme më të ulëta e kishin industrinë dhe Mali i Zi dhe Kosova, ndërsa në Maqedoni u rrit me 3.4% dhe në Serbi me 4.7%.

Si për depozitat ashtu dhe kreditë, Shqipëri rezulton me ecurinë më negative, duke qenë shteti i vetëm ku rritja reale e huasë ishte negative prej -0.7% dhe depozitat u zgjeruan me ritmin më të ulët prej 1.1%. Në shtetet e tjera, huaja u rrit mesatarisht me 2 – 9%. Depozitat lulëzuan në Serbi e Mal të Zi dhe më pak në Maqedoni, Bosnjë e Kosovë.

Shqipëria ka dhe nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon, në 18.3% dhe ndryshe nga Serbia e Mali i Zi nuk ka arritur ta ulë ndjeshëm këtë tregues. Mali i Zi kishte në fund të vitit 2016 hua të pakthyera në afat sa 10.3% e totalit. Shteti fqinj, pak vite më parë e kishte këtë tregues në mbi 20%, por pas një strategjie të ndërmarrë nga banka qendrore e Malit të Zi, ku i jepej përparësi ristrukturimit të korporatave, ai është ulur me shpejtësi. Edhe Serbia, që në 2015-n ishte në listën e 10 më të këqijave në botë, në 2016-n e ka çuar treguesin e NPL-ve në 17%, duke dalë nga dhjetëshja një vit më vonë. Maqedonia, Kosova i kanë kreditë me probleme në nivel njëshifror, kurse Bosnja 12.3%.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të konsolidimit fiskal vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë ishte 72% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, nga 72.7% me një vit më parë dhe ndër më të lartit në rajon, pas Serbisë.

Shqipëria është dhe vendi i dytë pas Malit të Zi për nivelin e lartë të deficitit të llogarisë korente, në rreth 10% të PBB-së, që vjen kryesisht nga deficiti i lartë tregtar, apo fakti që nuk arrin të ketë eksporte të qëndrueshme.

/MONITOR/