Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, duke e cilësuar çmimin prej 219 lekësh për litër të naftës si një barrë të rëndë për qytetarët dhe bizneset.

Në një deklaratë për mediat, Blushi argumentoi se, ndryshe nga Shqipëria, vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë ndërhyrë për të ulur çmimin e karburanteve përmes masave fiskale.

Sipas tij, taksat përbëjnë rreth 60% të çmimit të naftës në Shqipëri dhe rritja e karburantit ndikon drejtpërdrejt në kostot e transportit, prodhimit dhe çmimet e produkteve bazë.

“Në Maqedoninë e Veriut fqinje, falë ndërhyrjes së Qeverisë, çmimi i naftës ka zbritur në rreth 1.54 euro për litër, ndërsa në Malin e Zi fqinj, qeveria ka ndërhyrë konkretisht përmes uljes së akcizave, duke e çuar çmimin në rreth 1.87 euro për liter.

Ndërsa qeveritë e vendeve fqinje, përfshi edhe Italinë, zgjedhin të përdorin instrumentet fiskale për të lehtësuar kostot e qytetarëve dhe ekonomisë, në Shqipëri qeveria zgjedh të bëjë të kundërtën, duke mbajtur të paprekura taksat dhe duke përfituar më shumë të ardhura sa herë që rritet çmimi i karburantit.”, tha ai.

Ai riktheu në vëmendje edhe projektligjin e PL-së për pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, që sipas tij, do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës.

“Nëse mazhoranca e ka realisht shqetësimin për qytetarët, nëse vërtet dëshiron të ulë koston e jetesës dhe nëse propozimi për heqjen e Taksës së Qarkullimit nuk është thjesht një deklaratë politike për konsum mediatik, atëherë sot ka një mundësi të thjeshtë për ta provuar, ta rikthejë për votim Projektligjin e Partisë së Lirisë, një masë konkrete që do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit të karburanteve dhe lehtësim real për qytetarët dhe bizneset.”, shtoi ai.