Gjendet i vdekur në moshën 77-vjeçare Sifis Valiraqis, ish-ministër i Pasok.

Ka qenë i ndjekur dhe persekutuar nga junta e kolonelëve. Në vitin 1971 u arratis në Shqipërinë komuniste.

Ish-ministri grek Sifis Valiraqis u gjet i vdekur prej rojes bregdetare greke në afërsi të Eretrias, 40 km në veri të Athinës.

Sipas rojes bregdetare greke, politikani i njohur grek u gjet në det vetëm pak metra larg motoskafit të tij i cili u gjet me motorët të ndezur.

Ka qenë bashkëshortja e tij që njoftoi autoritetet pasi Valiraqis nuk ishte kthyer në banesë mbas një shëtitje që kishte bërë me skafin e tij në ujërat e qeta të gjirit të Eretrias.

Dyshimet e para janë të rënies nga mjeti lundrues dhe humbje të jetës si pasojë e ipotermisë, pasi në zonë temperatura ishte rreth 6 gradë celsius.

Sifis Valiraqis ishte politikan tepër i njohur i së majtës Greke. Ai kishte aktivitet të fortë politik kundër juntës ushtarake të kolonelëve. Valiraqis ishte në listën e personave të cilësuar si tepër i rrezikshëm prej diktaturës Helene.

Ai u burgos disa herë.  Valiraqis mundi të arratiset nga burgu në Greqi, por u kap gjatë tentativës së tij për të kaluar në Jugosllavi në vitin 1971.

Valiraqis mik i shqiptarëve

Po atë vit u burgos sërish në Korfuz, nga ku mundi të arratiset dhe të kalojë me not në Shqipërinë komuniste, ku kërkoi azil politik. Fillimisht i akuzua prej sigurimit si agjent grek dhe u dënua me 3 vjet punë të detyruar në Fier, por në vazhdim u lirua prej qeverisë së Enver Hoxhës falë ndërhyrjes së komunistëve maoistë të Kinës, të cilët ndërmjetësuan lirimin e tij.

Vitet e Valiraqis në Shqipëri ishin të qeta dhe me rënien e juntës u rikthye sërish në Greqi. Ai mbajti marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë dhe miqtë e tij në Shqipëri.

Valiraqis njihej si mik i shqiptarëve madje ishte mbrojtësi i të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetonin në vend.

Disa herë kishte kritikuar operacionet fshesa,dhe ishte një ndër inicuesit e ligjit për pajisjen e emigrantëve shqiptarë me leje qëndrimi në vend.