Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Klinikën për Sëmundje Infektive kanë ndërruar jetë katër pacientë. Bëhet fjalë për një paciente 79-vjeçare nga Shkupi, një 58-vjeçar nga Velesi, një 67-vjeçar nga Prilepi dhe një pacient tjetër 63-vjeçar nga Shkupi. Numri i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 38.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 26 raste të reja me koronavirus. Në Shkup janë shënuar 4 raste, në Kumanovë 11, Prilep 3, në Tetovë 4, Veles 2 dhe nga një rast në Koçanë dhe Probishtip. Me këtë numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostifikuar me COVID-19 shkon në 854.

Shkupi ka numrin më të lartë të të infektuarve me 316 raste, Kumanova me 211, Prilepi me 75, Dibra me 49, Struga me 43, Tetova me 37, Velesi me 32, Shtipi me 27 e kështu me radhë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Shtip janë regjistruar 3 pacientë të shëruar, të cilët ishin mjekuar në kushte shtëpiake.

Gjatë natës së kaluar janë kryer 330 testime, duke e çuar numrin e përgjithshëm të testeve në nivel vendi në 8552. 

Konform vendimit të qeverisë, gjatë fundjavës në territorin e Maqedonisë së Veriut u zbatua kufizimi i lëvizjes që përfundoi sot në orën 05:00 të mëngjesit. Ora policore zgjati 61 orë.

Gjatë ditës nëpër shumë qytete mund të vërehet lëvizje e madhe e qytetarëve dhe automjeteve, rrëmujë para bankave dhe postave, por edhe rreth shëtitoreve gjithandej qytetit.

Autoritetet e vendit paralajmërojnë që gjatë kësaj fundjave do të shtohen masat e kufizimit të lëvizjes për shkak të Pashkëve.