Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy vendosi të shkrijë Parlamentin katalanas dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme, pasi Kuvendi i rajonit votoi pro shpalljes së pavarësisë. Rajoy tha se vendosja e paprecedentë e sundimit direkt mbi Katalonjën ishte e domosdoshme për të rikthyer ligjshmërinë.
Ai shkarkoi po ashtu udhëheqësin katalanas, Carles Puigdemont, dhe kabinetin e tij. Rajoy njoftoi masat e fundit, pas një dite të mbushur me zhvillime frenetike. Senati spanjoll i dha qeverisë së Rajoyt fuqinë për të vendosur sundimin e drejtpërdrejtë mbi Katalonjën, e pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë Rajoy foli për pasojat.
“Presidenti pati mundësinë të rikthehejë në ligjshmëri dhe të shpallte zgjedhjet. Kjo është ajo që shumica e katalanasve donin. Por, ai nuk e bëri këtë. Ndaj qeveria e Spanjës po merr masat e nevojshme për të rikthyer ligjshmërinë”, tha Rajoy.
Zgjedhjet e reja do të mbahen më 21 dhjetor. Duke premtuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të ligjshme, Rajoy e quajti situatën e krijuar të trishtueshme dhe tha se nuk do të kishte dashur asnjëherë të arrihej deri këtu.
Ai njoftoi gjithashtu edhe shkarkimin e shefit të policisë katalanase dhe marrjen nën kontroll të administratës rajonale nga Ministritë e qeverisë qendrore. Më herët, të premten, një mocion për shpalljen e Pavarësisë u miratua me 70 vota pro, 10 kundër dhe dy abstenime, në Parlamentin katalanas me 135 vende.
Pas kësaj, nëpër rrugët e Barcelonës shpërtheu festa dhe flamujt spanjollë u hoqën nga disa ndërtesa të qeverisë lokale. Separatistët thonë se lëvizja do të thotë se Katalonja nuk është më nën juridiksionin spanjoll. Por, ndërkohë, Gjykata Kushtetuese spanjolle e ka deklaruar Pavarësinë të paligjshme dhe ka nisur një proces gjyqësor. Rrjedha e sotme e ngjarjeve e ka shtyrë Spanjën në një territor të paprekur, duke testuar kështu limitet e Kushtetutës së hartuar pas rikthimit të demokracisë në vitet 1970.