Lufta në Iran mund të ketë pasoja edhe në një prej investimeve më të mëdha të huaja në Shqipëri, atë Mohamed Alabbar në Portin e Durrësit.
Financial Times raporton se tre nga katër ekonomitë më të mëdha të vendeve të Gjirit po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së investimeve të jashtme për të përballuar kostot e luftës me Iranin dhe pasojat ekonomike të konfliktit. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti po përballen me vështirësi në eksportin e karburanteve, rënie drastike të arkëtimeve nga shitjet dhe kosto mbrojtjeje nga raketat iraniane, që në total shkon deri në 1 miliard dollarë në ditë.
Për këtë arsye qeveritë e gjirit, po vlerësojnë mundësinë e pezullimit të investimeve të mëdha në vendet e tjera të botës. Emaar Properties, e udhëhequr nga Mohamed Alabbar, ka marrë përsipër një investim të madh prej dy miliardë dollarësh për të transformuar Portin e Durrësit, në një marinë moderne jahtesh dhe destinacion turistik.
Projekti është pjesë e një plani më të gjerë për të modernizuar turizmin shqiptar. Mohamed Alabbar është themeluesi i Emaar Properties, gjigantit të pasurive të patundshme me seli në Dubai, përgjegjës për projekte ikonike si The Dubai Mall. Rreth 22 për qind e aksioneve të Emaar zotërohen nga Korporata e Investimeve të Dubait, që është krahu kryesor i investimeve të Qeverisë së Dubait, e themeluar në vitin 2006 për të menaxhuar dhe konsoliduar portofolin e kompanive tregtare të qeverisë.
Pra një pjesë e kuotave të kompanisë që ka marrë përsipër investimin në Durrës, zotërohet nga qeveria e Dubait, e cila tashmë po vlerëson mundësinë e tërheqjes nga investimet e huaja. /Top news





