DURRES, 8 qershor 2013 – Rreth 130 pjesëmarrës nga 24 vende të ndryshme të botës, kanë nisur garën "Rally Albania", i cili vjen për të 9-tin  vit radhazi në vendin tonë. Organizatori i "Rally Albania" Edvin Kasimati pohon se krahas garës, qëllimi i këtij eventi ndërkombëtar është njohja e promovimi i resurseve të jashtzakonshme turistike dhe natyrës shqiptare.

"90 për qind e pjesmarrësve këtë edicion janë të huaj të ardhur nga vende të ndryshme të Europës e më gjerë, si Estoni, Itali, Gjermani, Francë etj. Terreni që shohin këta njerëz, 98 për qind e shqiptarëve nuk e kanë parë e shkelur kurrë", tregon Edvin Kasimati organizatori i "Rally Albania". 

Kasimati, tregon më tej se përshtypjet e garuesve janë nga më të mirat për vendin tonë dhe për organizimin e një eventi të tillë, ndonëse mbështetja nga ana e institucioneve mungon.

"Mbështetja nga ana e institucioneve mungon, edhe pse këta duhet të shohin në aspektin turistik më shumë se sa garën. Kjo pasi të gjithë këta garaues kthehen më vonë më familjet apo miqt e tyre për të kaluar pushimet dhe kjo duhet nxitur më shumë. Shqipëria është një terren dramatik, nga një zonë ranore në malore, kjo është një nga veçoritë e vendit tonë, e cila tërheq rreth vetes në çdo ediocion garues të rinj", tregon Kasimati.

Pjesmarrësit në garë, teksa shpjegojnë vështirësitë që kanë pasur gjatë rrugëtimit të tyre, për shkak të terrenit të thyer malor, vlerësojnë natyrën e mikpritjen e mrekullueshme të Shqipërisë.

Cristiano Pastore garues italian, pohon se përgjatë etapës së parë e cila ka startuar në Durrës, drejt Fekenit prapa Dajtit-Përrenjas dhe për të përfunduar sërish në qytetin bregdetar, ka qenë mjaft interesant. 

" Në këtë etapë kemi parë vende mjaft interesante, përsa i përket Shqipërisë. Vij për herë të katërt, dhe dy prej garave i kam fituar, me pëlqen vërtet relievi shqiptar. Shpresoj të fitoj sërish garën për edhe për këtë vit, pasi të dalësh tre herë fitues është maksimumi", tha garuesi italian Cristiano Pastore.

Andrea Cosentino, një tjetër garues italian, vlerësoj jo vetëm relievin e mrekullueshme të Shqipërisë por edhe mikpritjen e shtetasve shqiptar.

"Më pëlqen shumë Shqipëria, natyra gjithçka, është një vend mikrpitës. Njerëzit këtu na respektojnë dhe janë me të vërtet bujar. Unë dua të argetohem dhe të njihem me vendet e Shqipërisë, dhe kjo është një garë e bukur internacionale që na krijon mundësinë për tu njohur. është hera e katërt që vij dhe dy prej garave i kam fituar. Kësaj rradhe nuk besoj të mar fitoren për shkak të dëmtimeve që kam, por ajo që unë vlerësoj më shumë në këtë aktivitet sportiv është bukuria e natyrës shqiptare, ndaj dhe zgjodha të jem sërish pjesë e Rally Albania", u shpreh Cosentino.

Ndërkaq, aktiviteti sportiv është vlerësuar edhe nga garuesi shqiptar, Klodjan Voko, i cili pohoi se gjatë rrugëtimit ka parë pejsazhe të mrekullueshme që humë pak njerëz mund ti shohin.

"Pjesa më e madhe e garuesve janë dëmtuar, relievi shqiptar është ajo që tërheq më shumë të huajit të cilët vijnë në vendin tonë për të marrë pjesë në një kompeticion të tillë. Terreni është mjaft i vështirë, pasi është terren malor, por ajo që mbetet e rëndësishme është se të njihesh me vendin tënd është një mrekulli", thotë Voko.

Pas përfundimit të etapës së parë, e cila nisi nga Durrësi drejt Fekenit prapa Dajtit-Përrenjas dhe përfundoi në Durrës, etapa e rradhës për organizatorët, konsiderohet si mjaft i vështirë, pasi do të përshkuajnë rrugëtimin, Durrës-Peshkopi-Pogradec.

130 pjesmarrësit, 10 prej të cilëve janë shqiptar, do të bëjnë plot 1750 kilometra rrugëtim nga veriu në jug të Shqipërisë, duke përshkuar një terren të vështirë malor të pashkelur më herët.

Ky aktivitet sportiv vjen për të 9-tin vit radhazi në Shqipëri dhe më shumë se një garë, konsiderohet si një mundësi promovimi për turizmin shqiptar.

/e.a. Agjencia lajmeve "Dyrrah"/