TROPOJE- Nuk ia kam hequr unë titullin 'Qytetar Nderi' Rexhep Qosjes, por këshilli i komunës". Kjo ka qenë deklarata që ka bërë dje për "GSH", kryetari i Komunës Tropojë në rrethin e Tropojës, Ram Kortoçi. 

I pyetur se cilat ishin arsyet që ai e kundërshtoi vlerësimin për akademikun, Kortoçi u shpreh se arsyet i ka sqaruar më herët dhe se ky ka qenë mendimi i tij. Në numrin e djeshëm të "GSH", sqarohej se në shkresën me të cilën ai bllokonte titullin, shprehej se: Qosja s'ka bërë asgjë për komunën Tropojë dhe se ai nuk ka falenderuar tropojanët për mikpritjen e kosovarëve më 1999 gjatë luftës. 

"Unë kam gjykuar kështu. Ky është mendimi im. Por titullin s'ia refuzova unë, e miratuan këshilltarët", deklaroi ai dje për gazetën. Akademikut Rexhep Qosja i është 'refuzuar' titulli "Qytetar Nderi" në Tropojë, edhe pse për këtë vlerësim ishin marrë më herët dy vendime zyrtare. 

Dje "GSH" botoi dy shkresat që hidhnin dritë mbi ngjarjen e ndodhur në Komunën Tropojë të qytetit verior. Pasi këshilli i komunës, me shumicë votash kishte arritur t'i akordonte akademikut të njohur titullin, ka qenë kryetari Ram Kortoçi, ai që e ka bllokuar atë. Dy shkresat 
tregonin, njëra vendimin e marrë për të vlerësuar profesorin e njohur dhe tjetra anulimin e të parit.