TIRANË, 30 dhjetor 2013 – Kryeministri Edi Rama zhvilloi mesditën e sotme ashtu siç dhe kishte paralajmëruar konferencën e fundvitit te kabinetit që drejton. Të pranishëm janë të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar si dhe përfaqësues të mediave. Në fjalën e tij Rama beri një pasqyrim të punës së qeverisë së tij në këto muaj që ka marrë detyrën.
PYETJE NGA GAZETARET
Nëse në qershorin e vitit të ardhshëm Shqipëria nuk arrin ta marrë statusin vendit kandidat a do të mbajë përgjegjësi kjo qeveri? A do të vijojë situata me prishjen e nderimeve pa leje sidomos në zonat bregdetare?
Qeveria do të mbajë përgjegjësi për gjithçka i takon qeverisë. Do bëjmë gjithçka që na takon që qershori të jetë momenti i vendimit të duhur për Shqipërinë. Mbetemi me shpresë që ato forca ekstremiste që këtë herë ndikuan në vendimmarrjen e padëshiruar të mos kenë ndikimin që patën këtë herë dhe Shqipëria të vlerësohet për atë që meriton. Përsa i përket pyetjes së dytë është një pyetje retorike, sepse pa asnjë pikë dyshimi do të vazhdojmë betejën për të rimarrë plotësisht nën kontroll territorin, shembjen e ndërtimeve pa leje që pengojnë zhvillimin e Shqipërisë europiane, turistike, normale. Shembjet dhe më ato spektakolaret janë vetëm fillimi i një vazhde që nuk do të ndërpritet në vitin 2014.
Ka pak ditë që është miratuar buxheti 2014, a kanë shpresë shqiptarët që ta ndjejnë më mirë vetën ekonomikisht?
Shqiptarët kanë votuar në 23 qershor për të paguar më pak kur fitojnë më pak. 97% e kontributorëve në arkën e shtetit do paguajnë më pak taksa. Këtë thonë shifrat dhe kjo do të çojë më shumë para për konsumin e tyre familjar. 2014-ta do të jetë viti i fillimit të rimëkëmbjes ekonomike. Do të kemi një rritje ekonomike më të lartë me trajektore në rritje të sigurt vit pas viti për katër vitet e këtij mandati dhe sigurisht që viti 2014 do jetë një vit ku gjithkush do të ndjejë efektet e para të dobishme të politikës sonë të re ekonomike dhe politikës sonë të re të taksimit të ndershëm.
Cilat do të jenë përpjekjet tuaja në vitin e ardhshëm, për të siguruar bashkëpunimin me opozitën me gjithë fitoren e thellë dhe numrin e deputetëve që keni në parlament…
Jemi të gjithëvullnetshëm të dëgjojmë çfarë thotë opozita por dhe të gjithëvullnetshëm të udhëheqim. Ne do të dëgjojmë dhe do udhëheqim.
Gjatë 2014-ës do ta realizoni premtimin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit?
Agjencia kombëtare e bregdetit kërkon një bazë ligjore të re, jemi pothuajse në përfundim dhe në fillim të vitit të ardhshëm parlamenti do të miratojë krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe çeljen e një kapitulli të ri në administrimin e kësaj pasurie kombëtare që është bregdeti.
A do të ketë ndryshime kushtetuese?
Nuk kemi asnjë objektiv për ndryshime kushtetuese si qëllim në vetvete.
Ju keni bërë një certifikim të borxhit, por jo të ekonomisë informale. Ku do ta çoni ekonominë informale në fund të këtij vitit që vjen apo në fund të katërvjeçarit?Propozimi për hapjen e një shkolle apo materniteti në Preshevë, ku ndodhet ky propozim sot?
Në mbledhjen e e parë të qeverisë do të jetë akordimi i një fondi i paraparë prej nesh dhe qeverisë së Kosovës do ta akordojmë këtë fond. Përsa i përket ekonomisë informale padyshim ky është problem kryesor. Unë e kam dëgjuar me shumë vëmendje përpjekjen e përfaqësuesve të biznesit për ta shmangur tatim fitimin, me argumentin se duhet të formalizojmë ekonominë dhe pastaj të paguajnë. Sigurisht kjo është pjesë e planeve tona për vitin e ardhshëm dhe bashkëpunimit tonë me biznesin në kuadër të një pakti me shkrim që po përgatitemi ta bëjmë me biznesin dhe nuk mund të premtojmë që në fund të 2014-ës në Shqipëri nuk do të ketë më ekonomi informate.
A rrezikon Shqipëria që Greqia të vendosë veton për statusin, për shkak të marrëveshjes detare?
Jemi të hapur të trajtojmë çdo çështje të axhendës së marrëdhënieve dypalëshe, duke kërkuar të respektohet edhe e drejta jonë për të konsideruar disa çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje dhe që në frymën e kohë së re që jetojmë, meritojnë zgjidhje për të mos qenë para nesh, në rrugën tonë drejt të ardhmes.
A ka ndonjë arsye pse qeveria juaj nuk i publikon vendimet, uroj të mos jetë standard…
Unë e përjashtoj këtë dhe besoj që mund të jetë diçka që mund të ketë ndodhur në ndonjë rast, që është një përjshtim që e përforcon rregullin që çdo vendim i qeverisë duhet të pasqyrohet në faqen zyrtare. Nëse ka ndodhur ka qenë thjesht për shkaqe teknike.
Duke pasur parasysh refuzimin e statusit prej rrymave ekstreme që ndikuan në këtë vendim, a ka qeveria juaj ndonjë plan për të inicuar në të ardhmen tërheqjen e Shqipërisë nga konferenca islamike? Në praktikë biznesi në Kosovë ka patur shumë vërejtje për krijimin e barrierave të reja tregtare, a ka ndonjë përplasje mes asaj që thuhet dhe bëhet për bashkëpunimin në rajon?
Po e filloj nga e dyta. Nuk di të ketë ndonjë barrierë të re. Ka patur një diskutim në kuadrin e dy nivele të akcizës së birrës, por ne i jemi përmbajtur direktivës së BE-së dhe kemi mbajtur dy nivele duke ndryshuar një situatë pak sa qesharake dhe duke normalizuar nga pikëpamja ligjore trajtimin e produkteve vendase me produktet e importit konform direktivës së BE-së. Për sa i përket asaj që do të bëjmë, ju siguroj që me mbledhjen e parë të dy qeverive shënohet dhe fillimi i bashkëqeverisjes strategjike mes dy shteteve shqiptare në rajon, që i ndan një kufi të cilin ne e konsiderojmë të pandryshueshëm si shprehje e besës që i kemi dhënë komunitetit ndërkombëtar, por do ta bëjmë të padukshëm, me ndërtimin e politikave të përbashkëta strategjike dhe si model bashkëpunimi në rajon.
Referuar forcave ekstremiste, ato janë një problem i BE-së, janë një çështje shqetësuese për BE-në, janë burime të një politike që i bie ndesh idealit dhe vlerave të BE-së. Nuk na takon dhe nuk është në fuqitë tona që ta trajtojmë dhe zgjidhim çështjen e tyre, por na takon të bëjmë maksimumin tonë që çështja jonë e integrimit të mos pengohet prej tyre. Ata nuk e fshehin, s’kemi pse e fshehim dhe ne, që përkatësia e një pjese të popullsisë sonë ndaj fesë myslimane, prej tyre konsiderohet si problem, ndërkohë që për sa më takon, fakti që Shqipëria është një vend multi religjioz është një vlerë e shtuar për ne. Duhet t’i neverisim këto forca dhe këto pikëpamje, dhe me krenari duhet ti shohim të gjithë në sy dhe ti themi që nuk lejojmë askënd që të stigmazitojë Shqipërinë si të tillë apo të atillë. Shqipëria është një vend evropian dhe ne në programin tonë kemi folur për ribashkim me Europën.
Ju keni bërë një certifikim të borxhit, por jo të ekonomisë informale. Ku do ta çoni ekonominë informale në fund të këtij vitit që vjen apo në fund të katërvjeçarit?Propozimi për hapjen e një shkolle apo materniteti në Preshevë, ku ndodhet ky propozim sot?
Në mbledhjen e e parë të qeverisë do të jetë akordimi i një fondi i paraparë prej nesh dhe qeverisë së Kosovës do ta akordojmë këtë fond. Përsa i përket ekonomisë informale padyshim ky është problem kryesor. Unë e kam dëgjuar me shumë vëmendje përpjekjen e përfaqësuesve të biznesit për ta shmangur tatim fitimin, me argumentin se duhet të formalizojmë ekonominë dhe pastaj të paguajnë. Sigurisht kjo është pjesë e planeve tona për vitin e ardhshëm dhe bashkëpunimit tonë me biznesin në kuadër të një pakti me shkrim që po përgatitemi ta bëjmë me biznesin dhe nuk mund të premtojmë që në fund të 2014-ës në Shqipëri nuk do të ketë më ekonomi informate.
Çfarë do të bëni ju ndryshe për reformën në drejtësi dhe a do të fillojë kjo reformë me shkarkimin e zotit Nishani?
Zakonisht ngarkimet dhe shkarkimet vijnë pasi bëhet reforma dhe jo para reformës. Dhe nuk quhet reformë, por zbatim i reformës. Besoj i dhashë përgjigje pyetjes suaj. Nga ana tjetër të gjitha qeveritë e kanë pasur prioritet integrimin, drejtësinë, formalizimin e ekonomisë, problemi është çfarë kanë bërë. Ne jemi të gatshëm, jo sepse kemi prioritet, por të gatshëm me një dokument të përgatitur nga ministri i drejtësisë për tu bërë pjese e reformës në drejtësi që nuk është ekskluzivitet i qeverisë, por kërkon një përfshirje të plotë të shumicës parlamentare dhe opozitës në kuvend, përfshirje të shoqërisë civile, mediat, partnerëve ndërkombëtarë. Ne jemi të gatshëm të luajmë rolin tonë me gjithë detyrimin dhe kompetencën që na takon.
Çështja e armëve, ekzistojnë qëndrime që thonë që me vendimin tuaj ju keni prishur marrëdhëniet me SHBA…
Kam vënë re që edhe njerëz me zë publik i shohin marrëdhëniet me SHBA si marrëdhënie me komshiun, që prishen me prishjen e ashensorit. Janë marrëdhënie që nuk kanë ndikueshmëri me një ngjarje. Në marrëdhënie me SHBA ne jemi tërësisht të investuar si një vend që respekton dhe respektohet, kështu që asnjëherë nuk kemi ndjerë ne mungesë respekti ndaj nesh dhe ta trajtosh këtë çështje si çështje që nuk respektuam marrëdhëniet me SHBA do të thotë të mos respektosh Shqipërinë si palë në këtë çështje.
A keni ndërmend t’i përfshini aleatët në bashkëqeverisje?
Aleatët tanë janë të përfshirë në bashkëqeverisje nuk ka asnjë dyshim për këtë.
Kur do të fillojë të artikulohet fjala sport nga qeveria juaj?
Do nënvizoja që ne kemi paraparë që tani për vitin e ardhshëm shkollor përfshirjen e mësuesve të edukimit fizik në të gjithë arsimin parauniversitar, që është fillimi i projektit tonë për sportin. Programi ynë për sportin është i bazuar tek sporti për të gjithë dhe kthimi i Shqipërisë tek sporti.
A është dosja Imami guri i provës për prokurorinë dhe a ekzistojnë dosje të tjera?
Ajo që ju e quani dosja Imami s’ka lidhje me persona por me domosdoshmërinë për të bërë transparencë të plotë në lidhje me keqqeverisjen. Është vetëm hallka e parë e një zinxhiri të gjatë bëmash të paligjshme në Ministrinë e Mbrojtjes që do të jenë në dispozicion të prokurorisë. Guri i provës siç e quani ju nuk mund të jetë një dosje apo një tjetër, guri i provës është domosdoshmëria që prokuroria të ndahet nga një traditë e lënies pas dore dhe mosprekjes së gurëve të themelit të korrupsionit. Ky është problemi që besoj na ka shqetësuar në të shkuarën dhe nuk duhet të na shqetësojë në të ardhmen. Goditja e korrupsionit nga ana e prokurorisë të prekë dhe gurët e themelit.
A rrezikojmë veto të Çekisë për shkak të CEZ-it?
Në na duhet Shqipëria europiane këtu dhe nuk na pengon askush ta ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu. Këtë duhet të bëjmë dhe këtë do bëjmë. Se çfarë ndodh jashtë nesh dhe pavarësisht nga ne është diçka që duhet ta trajtojmë rast pas rasti dhe të mos e kthejmë në asnjë formë paranojë apo frike.
A do ta mbështesni zotin Nishani në një mandat të dytë, apo e konsideroni si pengesë në realizimin e reformës në drejtësi që përmendët më parë?
Nuk mundem veçse ta përshëndes presidentin, ti uroj gëzuar vitin e ri dhe ti uroj me gjithë zemër që dëshira për një mandat të dytë të përkthehet në një vetëdije dhe nevojë që ta nderojë mandatin e parë.
Jemi në prag festash, a keni një urim dhe për kundërshtarin tuaj?
Kam një urim për opozitën, le të jetë viti 2014 viti kur opozita do ringjallet sepse pas zgjedhjeve praktikisht opozita është si ilustrim i asaj shprehjes së famshme të Biblës, të vdekurit që merren me të vdekurit. Është një urim shumë i sinqertë sepse realisht nuk është në të mirën e vendit dhe të mirën tonë në qeveri që parlamenti të ketë vetëm një program, programin e qeverisë dhe nga ana e opozitës të mos ketë alternativë, sepse s’ka program, ide alternative, por si të thuash vetëm një monitorim të programit tonë. Urojmë me gjithë zemër rindërtimin e opozitës, sepse kjo na bën edhe ne më të fortë.





