Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të hënën se 2018 do të jetë vitit më i zi për krimin e organizuar dhe se vitet do të shkojnë duke u nxirë.

Nuk ka diskutim që ky vit do të jetë një vit që do të shënojë një marrëdhënie të re në përballjen e policisë me krimin e organizuar, se patjetër që do të jetë viti më i zi për krimin e organizuar. Dhe vitet do të shkojnë duke u nxirë për krimin e organizuar dhe për të gjithë elementët kriminalë që janë të përfshirë në veprimtari të strukturuara kriminale. Operacioni Forca e Ligjit sapo ka nisur, por në vetëm 4 muaj ama ka dhënë rezultate që në mos tregofshin suksesin final, tregojnë atë që ne kemi pritur, rezultate shumë premtuese për hapat në vijim”, tha Rama në një takim me punonjësit e Policisë së Shtetit në Kryeministri.

Rama foli edhe për operacionet e fundit të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë kundër abuzimeve me pronat në bregdet që çuan në arrestimin e zyrtarëve të lartë.  

Shumë e rëndësishme për të mos u harruar, pak ditë më parë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria finalizuan një operacion të pazakonshëm në traditën e tyre. Pas operacionit të Kavajës, të pronave në bregdet, operacioni i Lezhës. Ka një qasje të re për ta shtrirë veprimtarinë e shtetit aty ku deri dje është dukur sikur zona ishte e lirë, për t’iu dhënë një përgjigje të merituar të gjithë abuzuesve me pushtet apo me para, me pronat e shtetit apo të pronarëve të ligjshëm. Kemi marrë një vendim, të bllokojmë regjistrimin e të gjithë akteve të pronësisë në të gjithë vijën bregdetare, jo për të penalizuar pronarët e vërtetë, por për t’iu dhënë përgjigjen e merituar pas 27 vjetësh zyrtarëve të lartë dhe të mesëm dhe të gjithë bandave të të gjitha natyrave që me lloj-lloj manovrash kanë arritur të grabisin shtetin dhe qytetarin, pronat shtetërore dhe private”, tha Rama.