TIRANE, 4 korrik 2013 – Ka zgjatur rreth 40 minuta takimi mes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në fokus të të cilit ishte shkëmbimi i mendimeve për bashkëpunimin institucional dhe tranzicionin e butë të pushteteve, pas fitores së koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit. 

Në përfundim të takimit, kryesocialisti Rama nuk ka pranuar të ndalet përpara mediave, por preferoi ta komentojë takimin përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”. 

Duke e cilësuar si një takim pozitiv, Rama thekson se në fokus të bisedës me presidentin Nishani ka qenë bashkëpunimi institucional dhe tranzicioni i pushtetit pa probleme. 

“Me Presidentin e Republikës për tematiken e bashkëpunimit institucional e të tranzicionit të pushtetit pa probleme të reja. Takim pozitiv.”- shkruan Rama në “Twitter”. 

Ndërkohë, zyra e shtypit e presidencës ka zbardhur takimin mes kreut të shtetit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. 

Mësohet se Presidenti Nishani e uroi Ramën për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për suksese në zbatimin praktik të programit politik, në të mire të qytetarëve të vendit dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë. 

“Presidenti Nishani dhe kryesocialisti Rama shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të forcimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor.”- thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Ky ishte takimi i parë që kryesocialisti Rama zhvilloi me presidentin Nishani, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku koalicioni i majtë triumfoi ndaj të djathtëve. 

Mësohet se Partia Socialiste ka kërkuar që ky takim të ishte i hapur dhe të zhvillohej në praninë e medias, por duket se kjo kërkesë është refuzuar nga Presidenca.