Paraditen e së shtunës kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama kishte përzgjedhur qytetin bregdetar për të zhvilluar një takim maratonë me gratë deputete të partisë së tij në një lokal buzë shëtitores Taulantia. Vizita jozyrtare e Ramës dhe takimi i tij me deputetet femra përkoi me ditën kur ishte caktuar të mbaheshin zgjedhjet e forumit të gruas socialiste në qytetin bregdetar.

Ndërsa po afron dita e mbajtjes së kongresit të gruas socialiste, i parashikuar të zhvillohet në 20 tetor, kryetari Rama u takua me femrat vendimmarrëse për të diskutuar dhe shkëmbyer ide mbi mënyrën e organizimit të këtij kongresi, që pritet të hapë siparin e fushatës elektorale të vitit të ardhshëm.

Nga burime brenda takimit “Dyrrah” mësoi se për mëse 7 orë Rama dhe deputetet diskutuan mbi performancën e punës së grave në vendimmarrje, si dhe rrahën mendime mbi mënyrën e organizimit të kongresit të gruas socialiste. Këtij kongresi po i paraprijnë konferencat e rretheve të cilat po zgjedhin strukturat drejtuese të tyre.

Nga ana tjetër, në kongresin e 20 tetorit pritet të prezantohet platforma dhe programi elektoral i partisë më të madhe të së majtës shqiptare. Për këtë arsye, kryetari Rama duket se i ka kushtuar një rëndësi të veçantë shkëmbimit të pikpamjeve me deputetet femra, një pjesë e të cilave kanë një eksperiencë të gjatë në këtë fushë.

Nga burime brenda takimit “Dyrrah” mësoi se për mëse 7 orë Rama dhe deputetet diskutuan mbi performancën e punës së grave në vendimmarrje, si dhe rrahën mendime mbi mënyrën e organizimit të kongresit të gruas socialiste

Gjatë takimit mësohet se Rama ka shprehur një opinion pozitiv lidhur me performancën e deritanishme të grave në vendimmarrje, por nga ana tjetër ai u ka lënë femrave të partisë së tij shumë detyra si dhe ka kërkuar intensifikimin e punës së tyre, ndërkohë që viti elektoral po afron. Rama ka kërkuar prej tyre shtimin e kontakteve me njerëzit, forcimin e lidhjeve mes strukturave të partisë me elektoratin, bashkëbisedim me kategori të ndryshme shoqërore dhe parashtrim të pikave kryesore mbi të cilat do të mbështetet programi elektoral.

Që kur mbante pozicionin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, u ka besuar dhe u ka dhënë poste drejtuese femrave. Kujtojmë këtu nënkryetaren e bashkisë Mimi Kodheli, e cila pas performancës në këtë post u përfshi në listat e deputetëve të Partisë Socialiste. Në të njëjtën kohë, edhe në fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare, u promovuan shumë femra që vinin nga shoqëria civile apo bota akademike.

Aktualisht Partia Socialiste është forca politike me numrin më të lartë të femrave të përfaqësuara në vendimmarrje. Pas takimit me deputetet femra, Rama zhvilloi një takim jo formal edhe me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili e priti për rreth 4 orë kreun e selisë rozë, derisa ai mbaroi takimin me deputetet.