TIRANE, 6 tetor 2013– Sulmi i parë i qeverisë së re ndaj zyrtarëve të larguar të PD-së ka nisur me ish-ministrin e mbrotjes Arben Imami.

Mësohet se vetë kryeministri Rama është shprehur se Imami do të shkojë në prokurori për abuzim me fondet e ministrisë. Siç citon sot Shqiptarja.com Rama ka thënë para deputetëve të tij se: 

“Kemi evidenca që gjatë fushatës zgjedhore Arben Imami, ish-ministri i Mbrojtjes në qeverisjen e kaluar ka porositur 1 milionë litra naftë për automjetet ushtarake, por që realisht janë përdorur për makinat e PD”. Më tej ai ka shtuar se “çështjen do ta çojmë në Prokurori”.

Por Ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami i ka hedhur poshtë këto akuza. Ai ka reaguar me anë të një deklaratë ku thekson se “asnjë litër naftë e ushtrisë nuk është përdorur për fushatën e Partisë Demokratike.”

Me anë të një e-maili, Imami shprehet:

“Puna e shkëlqyer për emergjencat komunitare në kushtet e ngushtimit të buxhetit tregon efikasitetin dhe integritetin në përdorimin e parasë publike nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura. Z.Rama ia serviri këtë shpifje në një darkë të pamediatizuar, grupit të të pakënaqurve të Partisë Socialiste. Paaftësia e tij e paralajmëruar për t’u marrë me problemet reale të vendit e çon në fabrikimin e sulmeve dhe shpifjeve, »- nënvizon Imami.

Sipas tij, këto akuza ndaj tij janë « sulme personale e janë në vijim të shpifjeve për pronat, shitjen e armëve e të tjera. »

Në mbyllje të deklaratës së tij, ish-ministri i sugjeron me ironi, Kryeministrit, se “meqë po flasim për karburant, i sugjerojmë z.Rama që me Koço dhe Moço, të ketë kujdes naftën e “Albpetrol”-it.”