TIRANE – Kryetari i PS-së Edi Rama konfirmoi sot zyrtarisht lajmet e përhapura në media për përfshirjen në strukturat e Partisë Socialiste të gazetarit Alfred Peza. Në një konferencë për mediat, kreu socialist i uroi publikisht mirëseardhjen gazetarit Peza, duke e cilësuar si një vlerë të shtuar për PS-në. Sipas Ramës, nga një zëdhënës i pavarur, Alfred Peza do të kthehet nga sot një zëdhënës i fuqishëm i ambicies publike për një Rilindje Shqiptare.
“I uroj publikisht mirëseardhjen mes nesh, për tu bere pjesë e përpjekjeve tona Alfred Pezës. Kemi qenë dhe do të mbetemi një familje e madhe politike ku çdo gjeneratë është e përfaqësuar në çdo nivel. Ripërtëritja e vazhdueshme është domosdoshmëri. Skuadra jone kombëtare e rilindjes është konsoliduar nëpërmes sakrificave të mundimshme opozitare. I uroj me zemër Fredit që ta justifikojë besimin tim të plotë. E siguroj që në PS do të gjejë gjithë hapësirën për tu ndjere i lirë”- deklaroi Rama.
Ndërkaq, nga ana e tij gazetari Alfred Peza tha se me hyrjen e tij në politikë, kërkon të kontribuojë sadopak për ta ndryshuar Shqipërinë. Ai deklaroi zyrtarisht largimin nga gazetaria, duke thënë se futet në politikë nëpërmjet derës së PS-së për të promovuar modelin e tij në gazetari, edhe në politikë.
Sipas Pezës, “me 23 qershor Shqipëria ka dy rrugë, ose instalimin përfundimisht të një regjimi rrënimtar, ose ky vend të rilindë dhe të begatojë”.
“Më shumë se kurrë jam shpresëplotë, se askush nuk mund ta ndal sot rrotën e historisë. Pas 23 qershorit, do të jetë viti i ri i një shekulli të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët.”- tha Peza.