Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në samitin e liderëve të Këshillit të Europës që po zhvillohet në Islandë.

Në këtë samit, Rama foli për gjykimin që po bëhet ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe liderëve të UÇK-së në Hagë.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ish-Presidenti i Kosovës po gjykohet nga një gjykatë e mbështetur në një raport të 2011 të Këshillit të Europës që është sponsorizuar nga përfaqësues të Putin në KiE.

Më tej, Rama nënvizoi se KiE ka detyrimin të korrigjojë gabimet dhe të hapë rrugën në mënyrë që të tërhiqet mbrapsht raporti i Dick Marty-t, që  etiketoi Shqipërinë si bazë të trafikut të organeve.

 “Kërkoj ndjesë sepse më duhet të bëj një rrëfim jo fort të këndshëm, si shqiptar është e pamundur të shmang heqjen e paraleles mes Ukrainës, Kosovës, Zelenskyt e Thaçit. Në këtë samit nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Europës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të këtij këshilli. Ish-Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e mbështetur në një raport të 2011 të këshillit të Europës i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësues të Putinit në KiE. Akuza të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore, kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë mu duk sikur pashë Zelnskyin 10 vite më vonë gjykuar nga nje gjykatë ngritur nga të njëjtat akuza absurde. Është shkurajuese të dish ku situata ku përfshihet Thaci dhe ushtria e Kosovës  e pati zanafillën para KiE. Asambleja e KiE ka detyrimin të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet të hapë rrugën të tërheqë mbrapsht të raportit që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë të trafikut të organeve”-tha Rama.