TIRANE – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama hodhi poshtë akuzat e LSI-së për ekzistencën e një marrëveshjeje mes socialistëve dhe demokratëve për çështjen e ndarjes të mandateve të deputetëve. Gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me gazetarët, kryesocialisti nënvizoi qëndrimin e PS-së, se nuk pajtohet me kalimin e atributeve të KQZ-së tek Kuvendi. 

“Çdo parti e vogël përpiqet të bëhet e madhe, duke akuzuar partitë e mëdha. Ky është qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit tanë në KQZ dhe është qëndrimi që do të mbajë grupi ynë parlamentar. Kuvendi nuk mund të marrë atributet e KQZ.”- u shpreh Rama. 

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi ashpër dy partitë e mëdha PD-PS, se kanë arritur një marrëveshje për ndarjen e mandateve në sallën e parlamentit. Nënkryetari i LSI-së Ylli Manjani , në një intervistë për NEËS 24 sqaroi se forca e tij politike nuk ende një qëndrim zyrtar se si do votojë në kuvend për mandatet. Sipas Manjanit, kjo situatë tregon dështimin e reformës zgjedhore. 

21 JANARI 

Duke iu referuar 2-vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit, kreu i PS-së tha se “nesër është një tjetër 21 janar pa drejtësi”. Sipas Ramës, kjo është një nga ato plagë që kombet nuk mbyllin dot me sytë e harresës. 

“Nesër është një 21 janari, një tjetër 21 janar pa drejtësi, madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Ne do të jemi nesër aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit.”- tha Rama. 

Shefi i opozitës vlerësoi edhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, në kërkim të drejtësisë për 21 janarin. 

MEMORIALI I UÇPMB-se

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ftoi qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës që të mos e lenë bosh vendin ku deri para pak orësh qëndronte lapidari i UÇPMB-së, por secili të vendosë lule në kujtim të të rënëve. 

“Vendi i zbrazur forcërisht nuk mund të lihet bosh, dhe thirrja ime do të ishte që çdo qytetar, çdo familje në Preshevë ta mbushte atë vend me lulet në kujtim të të rënëve. Ata janë të rënët e gjithë kombit shqiptar, jo vetëm të Luginës, dhe në respekt të tyre në të gjithë përulemi.”- tha Rama. 

Kreu i opozitës e dënoi aktin e heqjes së lapidarit, që siç tha ai, ishte vendosur aty për një çështje të drejtë. “Serbia nuk po arrin të ndahet nga shkuara.”- shtoi kryesoiclalisti. 

EKONOMIA 

Kryesocialisti theksoi vendosmërinë e opozitës për të hequr taksën e biznesit të vogël me të ardhur në pushtet. Sipas Ramës, nga programi i PS-së për një taksim të ndershëm do të përfitojnë 95% e shqiptarëve që paguajnë taksa. 
“Berisha akuzon se unë si kryetar bashkie e paskësha dyfishuar taksen për biznesin e vogël. Bashkia as nuk e rrit as nuk e ul dot taksën e biznesit të vogël, që vendoset nga qeveria. Heqja e taksës së biznesit të vogël është emergjencë.”- u shpreh Rama. 

AKUZAT PER BASHKËSHORTEN 

I pyetur nga gazetarët në lidhje me lejen e ndërtimit të pallatit të familjarëve të bashkëshortes së tij, Rama theksoi se të gjitha përgjigjet janë dhënë nga vetë Linda Rama, duke iu referuar intervistës që ajo dha në televizion pak ditë më parë.