Tiranë, 13 maj 2014 – Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë akuzat e opozitës për lidhje me trafikun dhe veçanërisht për ngjarjen e Divjakës, e cilësuar nga Partia Demokratike si arsye e mjaftueshme për të thërritur protesta dhe kërkuar dorëheqjen.
Në nisje të fjalës ai hodhi dyshimet mbi një inskenim të gjithë ngjarjes së Divjakës për t’u përdorur politikisht dhe akuzoi opozitën se me fushatën e saj po përbalt imazhin e vendit.
“Dua t’ju rrefej sot drejtëpërdrejtë, hapur duke ju parë në sy dhe pa rrumbullakosur asnjë fjali çfarë di dhe kuptoj teksa një shfaqje e shpifur politike po luhet prej tre ditësh një avion i ulur cuditërish në rërë të shtunën në mes të ditës me diell dhe pasi fluturon aq sa duhet për tu pikasur nga njerëz dhe fotografuar. Një makinë e ngecur me drogë dhe me çanta të lëshuara si pa kujdes.Me një parti deri dje në pushtet, e cila që në sekondën e parë të daljes në televizion të këtij filmi kaq tërheqës lëshohet me tërbim kundër meje qeverisë interesit kombëtar. Lëshohet ashtu siç vetëm ajo forcë e verbër e së shkuarës di të lëshohet. Pas asnjë turp për përbaltjen frontale të uniformës blu të shtetit. Lëshohet e shoqëruar nga falsifikatorë pronash, bilancesh dhe identitetesh që vënë në dispozicion ekrane, faqe gazetash, për të mbytur opinionin me fabrikime."– u shpreh Rama.
Kryeministri rrëzoi akuzat e ngritura se nuk e mori seriozisht akuzat dhe rrëzoi pretendimet se në Divjakë janë ulur rregullisht avionë droge.
“Është e pavërtetë që ne nuk e morëm seriozisht këtë çështje, ne nuk mund të merrnim seriozisht çmendurinë që në Divjakë paska avionë që ngrihen çdo natë”,- tha Rama.
Kreu i qeverisë shprehu vendosmërinë për të vazhduar me luftën kundër trafikut dhe shkëputjes së lidhjeve të strukturave shtetërore me të. Sipas tij, trafiku aty ka qenë dhe në përmasa akoma më të mëdha gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, por vetëm tani po goditet nga policia. Rama shprehu mbështetjen dhe besimin tek Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Çdo shqiptar sot duhet të jetë i bindur për integritetin dhe aftësinë e Saimir Tahirit dhe po ashtu edhe të Ministres së Mbrojtjes. Lufta që ne kemi hapur frontalisht kundër trafikut të drogës është vetëm në fazën e parë të saj. Lazarati i famëkeqësuar botërisht as nuk u mboll për herë të parë me ne në qeveri, as prodhoi për ne vota dhe as u mor ndonjëherë në mbrojtje nga selia jonë e partisë. Është ndjerë rehat-rehat verën e shkuar nën hundën e pushtetit të shkuar. Reagimi i shtetit ka ardhur dhe do të vijë vetëm duke u përforcuar dhe laku mbytës i trafikut do të vijë duke u ngushtuar”,- deklaroi Rama.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





