Debati për ndërtimet. Çfarë ndodhi dje në faqet e dy liderëve të PD e PS.Basha-Rama përplasen në Facebook.Kreu i PS fshin postimin, Basha: I paqytetëruar e nervoz.

26 gusht 2013 – Kryeministri i ardhshëm Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha përplasjen e parë e kanë pasur në rrjetet sociale.  Kreu i demokratëve komentoi dje me anë të një statusi në rrjetin “Facebook” tryezën që do të mbledhë PS-ja në dy ditët e ardhshme lidhur me planifikimin e territorit dhe urbanizimin, duke e quajtur atë grabitje të pronave në zonën e bregut. 

Pak minuta pasi kreu i PD, Basha, postoi mesazhin e tij për konferencën e Partisë Socialiste, në faqen e tij në Twitter kryesocialisti Rama ka postuar dy iniciale të çrregullta, H. V. Këto iniciale, të menjëhershme pas reagimit të Bashës, patën komente nga lexuesit dhe u interpretuan si reagim për deklaratën e Bashës. Reagimet, edhe nga shkronjat e hedhura në Twitter, kishin kontekst fyes për kreun e PD. Pak minuta më vonë, inicialet u hoqën nga profili i Ramës. Lajmi mori ngjyrime edhe më të forta politike, pas insistimit të përfaqësuesve të PS se gjithçka ishte gabim i kreut të selisë rozë. Sipas tyre, Rama nuk kishte dashur të shkruante ato germa në faqen e tij në Twitter, por ishte thjesht një gabim në përdorimin e aparatit të celularit. 

Reagimi i Bashës

Pas heqjes së postimit në rrjetin social nga ana e Ramës, ka reaguar në mbrëmje vonë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. “Disa media kanë raportuar reagimin e kryesocialistit pas postimit tim të mëparshëm. Komentet e shumta negative ndaj atij reagimi të paqytetëruar dhe nervoz e kanë detyruar ta heqë më pas nga faqja dhe të detyrojë vartësit e tij që t’ua mohojnë disa mediave se diçka e tillë ka ndodhur e disa të tjera t’i detyrojë të mos e publikojnë lajmin. Çfarë është më serioze këtu? Gjuha e rëndë, gjuha e mllefit dhe e urrejtjes që ai përdor rëndom edhe këto javë ndaj opozitës është tashmë një fakt botërisht i njohur dhe komentuar. Fyerjet personale ndaj meje nuk i ka për herë të parë”, shkruan Basha në Facebook. Kreu i demokratëve tha se Rama është nervoz dhe nuk pajtohet me mendimin ndryshe. “Nëse ia kuptoja hallin më parë, ia kuptoj dhe më shumë nervozizmin tani. Dhe ashtu si tiranasit e dinë se çfarë la pas fasadave që leu po ashtu, edhe shqiptarët e dinë fare mirë se pas buzëqeshjes së importuar kushtueshëm është prapë po ai, i njëjti, nervoz e i pamësushëm kurrë me kritikat, agresiv verbal e fizik dhe i papajtueshëm me mendimin ndryshe. As turravrapi për të censuruar mediat nuk është i ri për ata që e njohin. Lajmi i vetëm është se ky është komunikimi i parë publik i tij me kreun e ri të opozitës. E megjithatë, edhe këtu nuk zhgënjen. Komplimente për parashikueshmërinë!”. 

/panorama/