Kryeministri Edi Rama nënvizoi se bashkëpunimi me Kinën është normal, pavarësisht se vendi ynë nuk ka përfituar asgjë nga disa formate.
Në krah të kancelarit Scholz, Rama tha se Shqipëria e ka kaluar një kohë kur regjimi nuk i fliste askujt
“Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë publik madje duke u bërë thirrje dhe vendeve të rajonit për të zgjedhur një alternativë për 5 G. Këtë e kemi bërë shumë kohë më parë. Ndaj nuk kemi asnjë problem. Jemi pjesë e formatit 17+1 dhe nuk kemi ndërmend të largohemi, edhe pse Shqipëria është vendi nga të gjitha vendet që nuk ka përfituar asnjë investim. Nuk di se ku e bazoni bashkëpunimin e ngushtë me Kinën. Për hir të së vërtetës për arsye psikologjike dhe historike, bashkëpunimi ynë është normal dhe jorelevant. Por të largohemi nga forumi për të mbajtur qëndrim për çfarëdolloj arsye, më duket ide e gabuar. Komunikimi, me të gjithë pa përjashtim, pavarësisht se mund të kemi mendime të kundërta, është A-ja. Ne për veten tonë në Shqipëri e kemi kaluar një kohë me një regjim që nuk i fliste askujt dhe i mbante qëndrim gjithë planetit. Komunikimi do duhet të jetë me këdo.”, tha Rama.