8 dhjetor 2013- Grupimi “Dhjetor '90” ka startuar aktivitetet në përvjetorin e 23 të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit. Në takim kanë qenë të pranishëm studentë të atij viti dhe pedagog, e mes tyre edhe kryeministri Edi Rama.  “Sado e madhe apo e vogël është bërë ajo, ne ëndrrën e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, Lëvizje e Dhjetorit qëndron si dinamikë unikale për shoqërinë shqiptare, si ajo lëvizje që fali një forcë si mjet ndryshimi e transformimi, se mundesh pikërisht kur mendon se të mundën. Lëvizja e Dhjetorit është forca e atyre ëndrrave që e sjellin Shqipërinë gjithmonë e më pranë Evropës, shumë më ndryshe nga ato ditë që të gjithë ne që ishim këtu e jetonim ëndrrën si një realitet. Sot dhe për çdo dhjetor, t`i kthehemi pas atij dhjetori që të shohim se ku jemi, se kush më shumë e kush më pak kemi qenë protagonistë dhe të japim llogari. Ne mund t`i kërkojmë llogari vetes për sa u bëmë bashkë, për të përmbushur atë ëndërr”, deklaroi Rama.

“Lëvizja e Dhjetorit e jetoi të tashmen me forcën që përkuli të gjithë kufijtë, tejkaloi kufijtë e të shkuarës. Një ëndërr që mori forcë nga bashkimi dhe i bashkoi të gjithë. Kjo është një ëndërr që edhe sot na jep fuqi për të ecur para. Edhe në këtë dhjetor kemi ende ëndrrën e Shqipërisë Evropiane. Por jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Evropa, por për tu bërë evropianë, për të ndërtuar një model të suksesshëm, për ta bërë Shqipërinë pjesë të lëvizjeve të ndryshme. Falë asaj lëvizje, sot shqiptarët e kanë Evropën pjesë të përditshmes së tyre. Mbetet ende legjitime krenaria për atë Dhjetor. Përpjekjet dhe kërkesat e asaj lëvizje janë dhe mbeten gjithmonë burim i një jehone të fuqishme për të vënë në lëvizje transformime të shoqërisë tonë”, shtoi  më tej ai.

Kryeministri ka bërë edhe batuta me deputeten demokrate, Mesila Doda, e cila ishte prezente në takim si protagoniste e lëvizjes së Dhjetorit të vitit '90.
“Ju faleminderit që krijuat një mundësi shumë të veçantë për të pasur në podium dy protagonistë që janë nisur nga e njëjta korsi dhe sot janë në të njëjtën rrugë edhe pse janë në dy korsi të ndryshme, unë majtas ndërsa Mesila djathtas. Por ju na dhatë mundësinë të dëshmojmë se kur dy korsitë janë pjesë e një rrugë dhe gara bëhet kush ecën më shpejt në korsinë e vetë, e jo kush i bllokon korsinë tjetrit, gjithmonë ka më shumë se një arsye për të shpresuar, jetuar dhe bindjen se në të gjitha rastet, pikërisht ekzistenca e një korsie tjetër, bën që gjërat të shkojnë më mirë në rrugën tonë të përbashkët”, citoi Rama.