Kryeministri Rama ka qenë prezent sot në ceremoninë për nënshkrimin e paktit kombëtar të mirëqenies sociale. Kreu i qeverisë ka vlerësuar punën e bërë deri më tani dhe ka folur për reformat e ndërmarra, ndër të cilat edhe për atë të pensioneve.
Gjatë aktivitetit të sotëm nuk kanë munguar as batutat për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon.
“Ka plot që mendojnë se mos të prishen me ata, e këta, po jo se shiko se po të prekim pensionet nuk do na kuptojnë, se na duhen votat e me radhë. Por ne e bëmë. Kujtoj kur shkuam me Vangjushin dhe Erjonin kur ishte ministër, për pak na humbi Vangjushi se ishte një gropë e tmerrshme në lagje, por nuk gjenim dot as derën, por hynë këta, unë hyra kërrusur se ishte kaq dera, nga ato apartamentet e lodhura të epokës së parë të zhvillimit kaotik të Durrësit”- tha Rama.
Ai iu përgjigj kritikëve, duke kujtuar se zyrat e punës sot janë histori suksesi. “Le të thonë ca të duan, le të flasin ca të duan, kanë ndërmjetësuar 26 mijë vetë, kaq janë punësuar, nga zyrat e punës që marrin rrogën me punë dhe paguajnë taksat në shtet. 31 mijë vende të lira pune në zyrat e punës”- tha Rama.





