Kryeministri i vendit Edi Rama, deklaroi ditën e sotme se nëse muajt në vijim ruhet i njëjti trend si gjatë Shtatorit shifrat që mund të kapë Shqipëria mund të mbërrijnë deri në 10 milionë turistë brenda këtij viti.

Ndërsa deklaroi se duke iu referuar shifrave zyrtare, në shtator mbërritën në vend rreth 1.1 milionë turistë, kryeministri tha se gjithçka varet nga dhjetori, por me siguri do të kalohet shifra e 9 milionëve.

Rama u shpreh kështu ndërsa ishte në një takim me sipërmarrësit për nismën e tij për një rishikim tjetër të biznesit procedural dhe të sallës burokratike të përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit.

“Hotelet duhet të përgatiten se vitin e ardhshëm do kenë referencë. Të gjitha do kenë një çmim reference. Ne kemi 1.1 milionë turistë në Shtator, shifra zyrtarë, nëse dhjetori do jetë në këtë trend ne mund të kapim 10 milionë turistë këtë vit. Po, me siguri do kalojmë nëntën, varet nga dhjetori.

Si ta shpjegojmë ne, që kur shohim shifrat e turistëve dhe shohim të ardhurat nga hotelet nuk korrespondojnë.

Si për shitjen e apartamenteve, si për dhomat nëpër hotele nuk shohim asnjë rrugë tjetër, përveçse t’ju themi se bazuar tek tregu, që “jo, ne nuk e pranojmë që t’ju marrim juve, tvsh 6 përqind për këtë shifër që na jepni ju, por do ju marrim shifrën 6 përqind për shifrën që na thotë tregu” dhe ju do na e jepni, se nuk e marrim ta çojmë në shpi, por për të vazhduar të investojmë dhe për të përmirësuar shumë hallka që turizmi ka nevojë t’i përmirësojë shteti.”, tha kryeministri.