Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar, turin e falenderimeve për fitoren ne zgjedhjet vendore të Majit kryeministri Edi Rama, e ka nisur nga Shkodra.

Ai ka zhvilluar një takim me grupin e PS në Shkodër, teksa i ka dhënë disa këshilla kryetarit të ri të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci. Rama e ka paralajmëruar Becin se do të ketë presione në detyrën e re, ndërsa po ashtu i ka thënë se duhet të bëjë një bashki për të gjithë qytetarët e Shkodrës.

“Ti e ke përgjegjësinë kryesore. Do kesh presione nga të katër anët, ndërhyrje e historira në emër të revolucionit që përmbysi regjimin. Po duhet të mbash presionin, s’duhet t’i shohësh njerëzit të majtë të djathtë. Partia stër partia. Po vetëm me bashku. Të bësh bashkë njerëz të ditur, të zotë, të gjithë të ndihen të përfaqësuar. Të bësh një bashki për të gjithë qytetarët e Shkodrës, nëse do të të nderojnë dhe respektojnë dhe të të mbështesin siç të mbështetën, se një herë mund të fitosh, por të përsërisësh fitoren është e vështirë ”,- tha Rama.

Nga ana tjetër, Beci tha se kjo detyrë është një përgjegjësi shumë e madhe që do shpërblehet me punë.

“Është sfidë dhe përgjegjësi e madhe”, u shpreh kryebashkiaku.