18 Shkurt 2014 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, përballë gazetarit, Blendi Fevziu ka folur për skandalin e grabitjes së Bankës së Shqipërisë si dhe i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit, Sali Berisha. Ndërsa lidhur me vendimin e gjykatës së apelit, Rama deklaroi se ndryshimi i vendimit nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie" nuk do të thotë lirim.  

"Vjedhja e Thesarit të shtetit nga Banka e Shqipërisë ishte një lajm tronditës. Nuk kam kërkuar dorëheqjen e guvernatorit pasi respektoj privatësinë e institucioneve që nuk janë nën varësinë e Kryeministrisë. Unë kam bërë një mbledhje dhe kam kërkuar që mos të ketë prononcime pasi ishim në momentin më dramatik të një të panjohure dhe se dinim si do të reagonte publiku dhe nga ana tjetër sigurisht arrestimi ishte proces i hetimit dhe pjesa e stafit të Bankës kishte nevojë për mbështetje. Prokuroria ka bërë punën e saj.   Pasojat janë të rënda pasi janë grabitur një masë e madhe parash dhe publiku ka qenë jashtëzakonisht i shqetësuar. Bashkëpunimi me Guvernatorin si kryeministër ka qenë korrekt dhe tërësisht miqësor. Nuk jam nga ata njerëz që jetojnë me kodin e hakmarrjes apo gjakmarrjes. Nuk e njoh këtë kod. Berishën e konsideroj si nga milionat e shfryrësve të shumtë në Facebook, është një njeri i rëndomtë i vrerit në rrjetet sociale. Kështu e konsideroj këtë personazh.   Por e rëndësishme mbetet që hetimet të shkojnë deri në fund si dhe ndëshkimet të bëhen deri në fund.  Ajo që kam vënë re dhe më ka shqetësuar është reagimi i fortë i qytetarëve nga vendimi i Gjykatës së Apelit për Fullanin, ku ndryshoi masën nga "arrest me burg" në "arrest në shtëpi".

U them se kjo masë nuk është aspak lirim dhe kjo ka ardhur si një zhgënjim i madh, ka ardhur si një klithëm për gijotinë, por kjo nuk është zgjidhja. Klithma për gijotinë nuk ka sjellë asnjëherë asgjë të mirë",  u shpreh Rama.  

Kryeministri bëri të ditur se i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani që të propozojë për Guvernator të Bankës së Shqipërisë një person të huaj.