TIRANË- Mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste. Afrimi i zgjedhjeve parlamentare ka mobilizuar të gjitha strukturat, për të diskutuar për përgatitjet e tyre. Gjatë mbledhjes është mbajtur edhe 1 minutë heshtje për nder të komisarit të rënë në krye të detyrës, Musa Skura.
Në nisje, kryesocialisti Rama e vuri theksin tek rritja e kriminalitetit në vend, ndërsa premtoi kthimin e sigurisë në vend që në 300 ditët e para të qeverisjes, nëse fiton zgjedhjet parlamentare.
“Superioriteti i krimit është fakt që provohet cdo ditë, nga rrënimi moral dhe profesional i policisë së shtetit. Shëmbëllytyra e forcave të rendit në një trup pa kokë, është dora vetë ministri i Brendshëm", tha ai.
Sipas tij, vendi ka sot koeficentin e vrasjeve më të lartë në Europë dhe rajon. Shqipëria ka numrin më të lartë të vdekjeve në rrugë, ndërkohë që ka numrin më të vogël të automjeteve”, tha ai më tej.
“Ne premtojmë ringritjen e autoritetit të uniformës blu. Ne do ju kthejmë qytetarëve sigurinë e humbur. Do realizojmë një plan që shqiptarët të shohin një polici shteti që se kanë parë asnjëherë. Sot beteja e shtetit me krimin është një ndeshje e shitur, skuadra e policisë së shtetit do fitojë cdo ndeshje me krimin kur kupola e Minsitrisë së Brendshme të mos shesë më ndeshjet”, nënvizoi Rama.
NACIONALIZMI
Nga kjo asamble kreu i të majtëve i bëri thirrje kryeministrit të heqë dorë nga deklaratat nacionaliste, që sic tha ai përvecse prishin marrëdhëniet e ndërtuara deri tani me fqinjët na largojnë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.
“Kryeministri kapet pas fantazmës së nacionlizmit primitv ballkanik, pasi ka udhëhequr qeverinë në rrënim, po rrezikon të tjetërsojë edhe rolin e stabilitetit që shqiptarët kanë pasur në rajon. Bashkimi Kombëtar nuk mund të bëhet përmes rrugëve dhe mjeteve të së shkuarës. Në rrugëtimin e vetë drejt së ardhmes Shqipëria ka vendosur kaherë me aleatët e saj të mëdhenj SHBA dhe BE”, tha Rama.
Sipas tij, retorikat e kryeministrit jo vetëm do na largonin nga miqtë dhe partnerët e mëdhenj, por edhe do na largonin nga rruga e bashkimit.
“Mos përzieni interesat e kombit me interesat personale. Nuk ka nevojë të thuash që je ndryshimi, përvec borxhit marramendës që do lësh mos hap edhe probleme me fqinjët. Ju nuk keni asnjë plan, përvec retorikës”, iu drejtua Rama kryeministrit Berisha.
KOSOVA
Duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, Rama tha se ai do të punojë bashkë me Kosovën pas 23 qershorit, por për interesat e përbashkëta.
“Ne duam të punojmë bashkë me Kosovën për sigurinë energjetike, e vetmja gjë që bëtë ju ishte sabotimi i linjës së interkonjeksionit. Kjo ka ndodhur për faj të qeverisë tuaj”, tha Rama ndërsa foli për unifikimin e turizmit
“E vetmja gjë që bëte ishte një abetare dhe ajo me gabime. E vetmja gjë që bëtë ishte lufta me pataten e Kosovës”, shtoi Rama.
ZGJEDHJET
Lideri i PS-së i bëri thirrje më tej të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje, të votojnë, pasi sic nënvizoi ai, me votën e tyre ata pengojnë manipulimin.
“Shqiptarët duhet ta ndryshojnë gjendjen e tyre dhe ndryshimi fillon nga një votë. Mjetet e manipulimit duhet të ndalohen nga vetë njerëzit. Gjithkush duhet ta kuptojë që duke mosvotuar lë mundësi të manipulohet me votën e tij”, theksoi Rama më tej.
Rama shtoi se, “Duhet ta mundim makinën e manipulimit të zgjedhjeve. Mënyra më e mirë është pjesëmarrja në zgjedhje”.