Kreu i PD Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij gjatë Kuvendit Kombëtar të Forumit Rinor të PD, në ditën kombëtare të Rinisë.

Berisha u shpreh i bindur se janë të rinjtë ata të cilën kanë fuqinë për ta shpëtuar këtë vend, nga regjimi mafioz i Edi Ramës.

Sipas Berishës Shqipëria shpëtohet vetëm me revolucion.

Berisha: Sot ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju drejtuesit tuaj, anëtarët e PD u shndërruat në fibër më të fuqishme të rithemelimit të PD, të atij revolucioni që kishte dy qëllime madhore, shpëtimin e PD dhe shpëtimin e Shqipërisë. Ju vini krenar pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë, ju vini krenarë dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm dhe të motivuar në misionin tuaj të dytë, që është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë.

A do mundeni ju që me guximin tuaj të shpëtoni Shqipërinë, e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe, e cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm, ndër më të egrit në historinë e ekzistencës kombëtare. A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë e cila është sot vendi shoqëria, më e agresuar, më viktimë e mafis shqiptare, rajonale dhe botërore?

Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, energjinë, guximin dhe forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur ata përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar dhe të integrimit.

Asnjëherë mos harroni se jeni trashëgimtare të një lëvizje, e cila me një guxim epik, me një guxim në kufijtë e legjendës u përball në vitet 90 me diktaturën me të egër, çnjerëzore dhe barbare. Me diktaturën komuniste, e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën sheshin dhe rrugët e Qytetit Studenti, diktatura korrte dhe vriste në një barbari të pashoqë, bashkëmoshatarët që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve në kufijtë e vendit.

Ata të rinj dhe studentë të udhëhequr po nga një i ri, i shndërruar në 24 orë një hero i papërsëritshëm në një lider legjendar. E gjunjëzuat diktatorin dhe e imponuat të vendoste pluralizmin në Shqipëri.

Kjo do ju frymëzojë ju dhe shqiptarët në cdo kohë në betejën për liri dhe dinjitet. Kjo trashëgimi ju fton ju sot të ngriheni në lartësinë e idelave tuaja fisnike, të bashkëmoshatareve tuaj 30 vjet më parë. Kështu që sot kryefjala është një dhe vetëm një, revolucion dhe vetëm revolucion. Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, nuk shpëtohet me deklarata, Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë ata që e duan dhe ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju që jeni të gatshëm të përballeni dhëmbë për dhembë me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën këtë bir xhelati, që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve.