Kryeministri Edi Rama bashkë me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u ulën sot në një tryezë me përfaqësues të biznesit të vogël duke sqaruar edhe një herë uljen e pragut të TVSH-së.

Vetë kryeministri Edi Rama tha se ulja e pragut të deklarimit të TVSH-së bëhet për tu kontrolluar më mirë bizneset e mëdha dhe jo për të dëmtuar bizneset e vogla.

“Problemi juaj nuk është TVSH por tavani 8 milion, duke e kaluar atë ktheheni në subjekt që paguani taksë nga 5 në 15 %. Shumë prej jush gënjejnë e thonë vetë gënjejnë me bilancet për të mbajtur kokën nën tavan. Në kohën që xhiron e kanë më pak se 8 milion jetojnë në stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme. Këtë çështje ka ardhur koha ta adresojmë siç duhet. Tavani të rritet mbi 100 milionë dhe nga gënjeshtarë të ktheheni në aleatë të shtetit, për të realizuar qëllimin e gjithë kësaj lëvizje. Nuk po marrim më shumë lekë nga ju nga kjo lëvizje, por duhet të dini që të mëdhenjtë s’mund t’i shmangen detyrimeve që kanë për shtetin”,- u shpreh ai.