Gjatë vitit të ardhshëm pritet që shkollat të monitorohen me kamera inteligjente, të cilat do të jenë në funksion të sigurisë nxënësve dhe personelit arsimor. Kështu ka deeklaruar kryeministri Edi Rama në diskutimin e radhës me prindër e mësues në Kamëz mbi kufizimin e rrjetit social TikTok. Kryeministri Rama theksoi se bllokimi i tij në Shqipëri është një ndihmë për të kontrolluar pak më shumë fëmijët në internet.
“Ne jemi duke i të gjitha aspektet dhe jemi në këtë bashkëbisedim, sepse jemi të prirur të besojmë që bllokimi i plotë i TikTok-ut, edhe për një sërë arsyesh tjera, që lidhen me faktin e gjuhës shqipe, që lidhen me faktin e pamundësisë për të pasur të njëjtat kritere dhe standarde si vende të tjera do të ishte një rrugë, qoftë edhe për një periudhë, për të parë se çfarë do të bëjnë të tjerët, si të tjerët do të gjejnë mekanizma të tjerë dhe faktikisht për ta hequr “një shok” shumë të keq nga duart e fëmijëve dhe për të pasur pak më shumë kontroll mbi atë momentin kur ata shkojnë nëpër ato labirinthe.”
Megjithatë nga shkolla “Halit Çoka”, Rama tha se bllokimi i TikTok është një ndihmë, por jo zgjidhje.
“Dhe nuk ka asnjë zgjidhje nëse nuk ka më shumë përfshirje të drejtpërdrejtë të familjes, të shkollës dhe të të dyjave bashkë pastaj, prindërit, mësuesit dhe natyrisht, edhe institucioneve të tjera, në funksion të rritjes, të zgjerimit dhe forcimit të parametrit të sigurisë”.
Sistemi i monitorimit me kamera inteligjente në shkolla sipas Ramës është një ndihmë pozitive pasi eksperienca e vendeve që e kanë aplikuar ka treguar se ka një rënie drastike të dhunës, bullizmit, të mungesave e të sjelljes.
“Ne tani mbyllim brenda dhjetorit edhe marrëveshjen e financimit, projekti është gati dhe fillojmë menjëherë vitin e ardhshëm me instalimin e këtij sistemi që do të na japë një dorë shumë të madhe, një dorë shumë të madhe për të pasur shumë të qartë çfarë ndodh dhe për të monitoruar edhe një rregull të thjeshtë, që është celulari nuk merret në klasë, mirëpo faktikisht, ne nuk mund të pretendojmë që kjo zbatohet 100%. Patjetër që kjo do të na japë një dorë shumë të madhe për monitorimin e provimeve.”
Per aludimet se në ngjarjen ku mbeti i vrarë një 14-vjeçar, është i përfshirë edhe një tjetër autor, Rama jep këtë koment. “Jo vetëm që është hetuar me detaje nga Prokuroria, por është regjistruar në video. Është nga A-ja te Z-ja si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër.”
Kryeministri përmendi edhe rezultatet e nxënësve shqiptare në testimin ndërkombëtar TIMS për aftësitë në matematikë dhe në shkencë, ku vendi ynë u rendit e 33-ta nga 58 shtete. “Kjo është një e dhënë shumë inkurajuese për ne, është një provë që gjërat që po bëjmë po sjellin përmirësim, është një provë që mësuesit i kemi më të motivuar dhe më të angazhuar edhe që nxënësit nuk janë për t’u parë si kriminelë potencial.”