Intervistoi Mila Ballhysa
Për herë të parë në historinë e Partisë Demokratike, në garën për kreun e saj kandidon një grua. Kandidatja Edith Harxhi e pranon se politika nuk është e lehtë për një grua, për më tepër në një terren maskilist dhe të vështirë jo vetëm brenda partisë, por edhe politikës në përgjithësi. Ajo pranon se pavarësisht steriotipeve maskiliste që kanë karakterizuar politikën shqiptare në këto 30 vite kandidimi i saj është mirëpritur nga demokratët, sepse ata duan ndryshimin dhe siç shprehet Harxhi “ndryshimi nuk vjen vetëm përmes vizionit tim dhe programit tim, por edhe paraqitjes për herë të parë të një zonje në garë”.
Kandidatja Harxhi pranon se gëzon mbështetjen e demokratëve anekënd vendit, ndërkohë që programi i saj për hapjen e PD-së është pritur mjaft mirë nga ish-themelues të PD, ish-deputetë, ish-kryetarëve të degëve, anëtarësisë që ka mbetur goxha e zhgënjyer nga zgjedhjet e fundit etj.
Kandidatja e dalë nga grupi “Për PD” thotë në një intervistë për “DurrësLajm” se zgjedhjet e 25 prillit ishin një maskaradë zgjedhore, pasi vota e shqiptarëve është tjetërsuar po ndërkohë që thekson se Basha ka përgjegjësinë e vet për rezultatin zhgënjyes dhe pamundësinë për të rritur numrat e mbështetjes popullore.
Duke iu referuar rezultatit zgjedhor të 25 prillit në qarkun e Durrësit, Harxhi rendit disa shkaqe që sipas saj i mundësuan PS-së fitimin e 8 mandateve, ndërkohë që PD parashikonte një fitore, ose barazim 7-7. Sipas saj, populli i Durrësit nuk e ka kuptuar mesazhin e PD-së dhe njëkohësisht nuk është punuar si duhet nga strukturat me elektoratin. Nga ana tjetër, Harxhi nënvizon se problem ishte edhe lista e PD-së, pasi ish-kryetarë të degës duhet të ishin në pjesën e sipërme të saj, ndërsa marrëveshja me aleatët duhet të ishte bërë në formë tjetër. Harxhi ka rezervat e saj për renditjen e Agron Dukës në listë, pasi sipas kandidates për kreun e PD-së, numri 2 në listë mund t’i shkonte një ish-kryetari dege, një ish-deputeti apo aktivisteje shumë të shquar në zonën e Durrësit nga familjet e mëdha. Rezervat e Harxhit në listën e Durrësit shkojnë edhe për atë që ajo e konsideron “moskuptim fetar”, mospërfshirje në listë të asnjë kandidati/je të besimit ortodoks.
Ndërsa përjashton largimin e saj apo grupimit të cilit i përket cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve më 13 qershor, ajo thekson se do të vazhdojë të punojë fort për ringritjen e PD-së.
“Me atë program dhe atë vizion që kam unë, Edi Rama brenda 2 vitesh rrëzohet”,– thotë Harxhi.
Pikat më të rëndësishme të platformës së saj me të cilën do të kërkojë votën e demokratëve janë:
- Partia Demokratike t’iu kthehet anëtarëve të saj dhe t’i shërbejë interesit qytetar;
- Të vendosen debati dhe konkurrenca e lirë brenda Partisë;
- Të ndodhë bashkimi i Partisë rreth vlerave dhe parimeve të djathta dhe rikthimi i çdo personalitetit e kontribuesi, që prej themelimit të Partisë dhe atyre që e konsiderojnë Partinë Demokratike shtëpinë e tyre. Kështu, do të arrijmë një ringritje, bashkim dhe forcim të së djathtës shqiptare;
- Partia duhet të ketë një Akademi Politike funksionale, e cila do të trajnojë brezin e ri të politikanëve të djathtë
Duke u ndalur tek marrëdhënia e saj me liderin historik Sali Berisha, ndërsa thotë se ai “është kontribuesi më i madh i demokracisë në Shqipëri dhe i çështjes shqiptare”, Harxhi pranon se ka relata shumë të mira me liderin historik të demokratëve.





