Kryesocialisti Edi Rama çeli sot pasdite fushatën e Partisë Socialiste në Durrës ku nxori në pah ato që i konsideron pika të forta të qeverisë që drejton prej dhjetë vjetësh.
Rama u shpreh i bindur se bashkia Durrës do të ketë ngjyrat e rilindjes më 15 maj, ndërsa në tërë vendin, përballë një opozite të copëtuar, ai pret që të fitojë rreth 50 ndër 61 bashki.
Fushata po bëhet pa shumë zhurmë dhe siç thotë Rama, është një rrugëtim i gjelbër në bashkitë e vendit, në përmbushje të zotimit që me shkurtimin e shpenzimeve elektorale do të financohen dhurime pemësh në çdo bashki, duke e kthyer këtë fushatë, në të parën fushatë që do të lërë pas më pak ndotje mjedisore, akustike e vizuale dhe më shumë oksigjen në stacionet e saj.
Kryeministri u ndal te pagat që po rriten në mënyrë domethënëse dhe përsëriti se pas një viti do të rriten sërish.
“Ne do ta çojmë pagën mesatare nga 530 në 900 euro. Është një rritje e konsiderueshme të cilën do bëjmë ç’mos që ta mbështesë konkretisht me hapat e vet dhe sektori privat”.
Në vijim Rama u ndal te Durrësi. Ai pohoi se atje ka dy porte, ende në letër, në kushtet kur ky qytet kishte të vetmin port kombëtar në vend.
Rama u ndal te këto dy porte që janë në proces, duke thënë se ato janë kyçe për turizmin dhe për tregtinë, njëri aty ku ishte porti kombëtar dhe tjetri në Porto Romano.
“Për të dyja këto porte ne jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do të fillojnë së shpejti intensivisht punimet, s’ka më pengesa. Me portin tregtar jemi në fazën e garës ndërkombëtare. Është një projekt jashtëzakonisht ambicioz, për ta bërë Durrësin një portë hyrëse për tregtinë e të gjithë rajonit tonë. Në portin e Porto Romanos kemi edhe një përmase tjetër, një përmase ushtarake për të krijuar një bazë operacionale navale të NATO-s në njërin krah të portit. Jemi duke punuar dhe për këtë”, tha Rama.
Ai përmendi dhe atë që e cilësoi linjën e re hekurudhore Tiranë-Durrës. Bëhet fjalë për shtrim shinash të reja dhe terren të zgjeruar, gjithsesi, më së shumti në infrastrukturën ekzistuese.
Treni Tiranë-Durrës dikur e bënte udhëtimin për 50 deri 60 minuta. Me trenat e rinj që do të vijnë, pritet që kjo kohëzgjatje të përgjysmohet, raporton noa.al.
Sakaq, po vijojnë përgatitjet e projektit së bashku me qeverinë e Kosovës për hekurudhën që shkon nga Durrësi drejt Kosovës, dhe që pastaj lidh Durrësin dhe Shqipërinë me hekurudhë me të gjithë rajonin dhe mundëson një tjetër hyrje të mallrave në gjithë rajonin, këtë herë nga Durrësi.
Një tjetër pikë e fortë që u shpalos nga Rama ishte kantieri i shëtitores së plazhit. Ai tha se është ende herët për të parë gjithë transformimin që ajo shëtitore do të sjellë sepse po punohet edhe me projektin e rërës.
“Do të kemi një zgjerim të konsiderueshëm të rërës në plazh dhe faktikisht do të kthehet gjithë ajo hapësirë fantastike që ka qenë dikur kur akoma plazhi nuk ishte si të thuash ngushtuar nga ndërtimet e reja”, tha Rama.