Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ishin para pak minutash në Kavajë, për të inspektuar nga afër punimet në kantiere.
Fillimisht Rama dhe Ahmetaj ishin në Shtodhër të Kavajës ku inspektuan punimet në shkollën që po rindërtohet në këtë fshat.
“Është më e madhe nga sa ishte shkolla. Këto shkolla janë në çdo aspekt si në Europë, nuk kanë asnjë dallim. Vjen nga fshati në një shkollë njësoj si në çdo komunë, apo vend të Europës.
Një sistemim i rrugës këtu para duhet bërë. Nuk e di a është e mundur të spostohet nga këta të OSHEE kjo shtylla që të bëhet një rrugë e këndëshme”, tha Rama.
Nga ana tjetër ministri Ahmetaj pohoi se gjatë gjithë procesit të rindërtimit OSHEE ka qenë bashkëpunuese në ato raste kur është dashur zhvendosja e një kabine, fidri apo shtylle.
Më pas vizita e tyre u zhvendos në kantierin e shkollës profesionale “26 Marsi” të Kavajës. ku Rama i propozoi inxhinierit qe terreni sportiv i te dyja shkollave, dhe 9-vjeçare dhe gjimnaz, te jete i integruar. Të dyja këto shkolla u dëmtuan së tepërmi nga termeti i 26 nëntorit dhe për to u mor vendimi që duhen rindërtuar nga fillimi.
Pjesë nga biseda:
Rama: Kjo zona këtu do të jetë e integruar apo do të jetë e ndarë?
Kryetari i Bashkisë Kavajë: Do jetë e ndarë.
Rama: Po pse nuk e bëni të integruar?
Inxhinieri: Sepse ky është gjimnaz, ajo është shkollë 9-vjeçare.
Rama: Jo them për pjesën e terreneve sportive.
Inxhinieri: Bëhet edhe e integruar, por secila e ka terrenin sportiv.
Ahmetaj: Tani, ne kemi disa mundësi sepse edhe në Durrës do bëjmë disa shkolla, të njëjtën gjë, por do t’i integrojmë.
Rama: Shiko ça terreni ka ajo gjithë ai terren atje.
Ndërsa në përfundim të vizitës në Kavajë, Rama dhe Ahmetaj ishin në kantierin e madh të rindërtimit të një kompleksi, që përbëhet nga 7 pallate banimi me 300 apartamente.
Në këtë kompleks do të ngrihen 100 njësi shërbimi nga themelet me standardet më të larta me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, nga rrjeti rrugor, rrjetet inxhinierike të furnizimit dhe me të gjitha shërbimet që i duhen një zone të re zhvillimore, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Pjesë nga biseda:
Rama: Kjo është nata me ditën.
Ahmetaj: Do të jetë një nga lagjet më të bukura të Kavajës.
Rama: Këtu tek kjo vija anash të fillojmë që tani të mbjellim ca pemë drejt në fund, brenda dhe jashtë. Aty ku është ulliri, me vënë ca rrepe deri në fund që të fillojnë të krijojnë një kurorë.
Kurse këtu jashtë me vënë nja 15-20 rrepe këtu që t’i krijojnë një mbyllje.
Perfekte.
Tani kur hyjmë në fazën e fillimit të themeleve për pallatet?
Inxhinieri: Këtë javë lidhin kontratën për projekte. Projekti do të jetë në fazën e Projektit për leje ndërtimi. Dhe në harkun kohor të pesë javëve do kemi nisur themelet e pallateve.
Rama: Gjithë halli është që ata që janë në pritje për shtëpi në pallat, e kanë të vështirë të kuptojnë se është çështje projektesh komplekse që bëhen zakonisht kërkojnë një kohë shumë të gjatë. Ne po i bëjmë me shtrëngim kohor, por edhe pak punë na duhet sa të dalim nga kjo nënujë i projekteve dhe të fillojë puna.





