Një nga figurat kryesore të PS-së në dy dekadat e fundit, ish-deputeti Bardhyl Agasi, ka komentuar një nga çështjet më të mprehta që ka të bëjë me dy forcat kryesore politike, atë të pranimit të mendimit ndryshe dhe demokratizimit të brendshëm. Sipas Agasit, Edi Rama dhe Sali Berisha nuk e pranojnë mendimin ndryshe, në një kohë që ishte Fatos Nano ai që solli standarde të reja në politikën shqiptare. “Unë e them me kurajë se kam vërejte serioze për kryetarin e partisë socialiste Edi Rama, për arsye se ai nuk ka ditur që të bëjë opozitë, të drejtojë PS-në si një forcë opozitare, madje ai e ka pranuar vetë se nuk është politikan, thotë ish kryetari i Partisë Socialiste për Durrësin. Në kushtet kur ai e pranoi dhe vetë që nuk ishte politikan, nuk kishte pse ta merrte drejtimin e një forcë të madhe politike si PS që kishte kontribute të mëdha në demokratizimin e jetës shqiptare”. Agasi komenton gjithashtu dhe rolin e deputetëve të Durrësit në vendimmarrjen qendrore, spostimin e Kastriot Islamit nga PS dhe të tjera probleme brenda forcës më të madhe opozitare
Z Agasi, cila është përshtypja juaj në lidhje me largimin e ish zv/kryeministrit Oketa nga PD-ja?
Po të flisja në pozitat partiake, si socialist, ndoshta do të komentoja në një pozitë tjetër, pasi do ta shikoja si një humbje vlerash nga PD-ja, por duke u nisur nga njohjet personale që kam me z. Oketa, mund të them së pari se është një qytetar durrsak që gëzon respekt në popullin e Durrësit. Nuk dua të hyj në problemet e tij të brendshme me partinë, por mund të them se përshëndes kurajën e tij për të thënë diçka. Nga ana tjetër dëgjova dhe kryeministrin Berisha që deklaroi se z. Oketa nuk i ka ngritur këto probleme brenda partisë së tij. Nëse është me të vërtetë kështu, them se Oketa atë kurajë që tregoi në momentin e largimit nga PD-ja, duhej që ta kishte treguar dhe kur ishte në grupin parlamentar, duke shprehur haptazi mendimet e tij. Ato kritika që Oketa bëri ditët e fundit ndaj PD-së dhe qeverisjes duhej t´i kishte bërë dhe brenda forcës së tij politike dhe veçanërisht brenda grupit të tij parlamentar.
Le të kalojmë pak në kampin tuaj z. Agasi, pasi dhe te ju ka pasur “gjueti shtrigash” kur mendimi ka qenë kundër rrymës, mjafton të përmendim këtu dhe rastin tuaj apo të z. Islami?
Unë e them me kurajë se kam vërejte serioze për kryetarin e partisë socialiste Edi Rama për arsye se ai nuk ka ditur që të bëjë opozitë, të drejtojë PS-në si një forcë opozitare, madje ai e ka pranuar vetë (dhe unë jam kam shprehur dhe në sy) se nuk është politikan. Në kushtet kur ai e pranoi dhe vetë që nuk ishte politikan, nuk kishte pse ta merrte drejtimin e një forcë të madhe politike si PS që kishte kontribute të mëdha në demokratizimin e jetës shqiptare. Ndryshe nga rasti Oketa që problemet i ngriti në momentin kur u largua nga PD-ja, unë i kam ngritur këto probleme në të gjitha nivelet e PS, madje ja kam thënë dhe në sy z. Rama. Pavarësisht nga këto, në fund të fundit unë kam mbetur te PS-ja. Për mendimin tim lufta duhet vazhduar te ajo forcë politike që je dhe atje duhet të luftosh deri në fund. Edhe unë mund të kisha shkuar në një parti tjetër (si p.sh. te PSV-ja) pasi kisha vërejtje serioze për mënyrën se si Rama drejtoi partinë dhe mohoi disa nga vlerat e saj të rëndësishme, por përsëri duke menduar se kam qenë një nga drejtuesit e PS-në shkallë rrethi dhe në strukturat e larta të PSSH, kjo do të dëmtonte dhe imazhin tim. Këta janë dhe arsyet që mbeta te PS-ja për të kërkuar gjithmonë demokratizimin e kësaj force politike. Përsa i përket mënjanimit të figurave me kontribute për shkak të pikëpamjeve të tyre ndryshe, mund të përmend si tipik rastin e z. Islami që nuk është se e mënjanua, por mund të them me plot gojën se e përjashtuan. Unë do të thosha se qëndrime të tilla si nga z. Rama, ashtu dhe nga z. Berisha, që përfaqësojnë dy forcat më të rëndësishme politike dhe për mendimin tim dy thesare te demokracisë, nuk i shërbejnë as këtyre partive dhe as vendit. Kur erdhi në krye të PS-së, z. Rama premtoi se do ta bashkonte akoma dhe më tepër partinë, do të dyfishonte radhët e saj dhe do të vlerësonte mendimin ndryshe. Kjo gjë nuk u provua më vonë. Mendoj se demokratizimin me të madh PS-ja e ka pasur në kohën kur në krye ish z. Nano, modeli i të cilit dhe sot është një shembull pozitiv për çdo forcë politike. Nano mendoj se vendosi standarde të reja. Kohët e fundit duket një tendencë për të reaguar pozitivisht. Para disa vitesh, kur erdhi në Durrës, Edi Rama tha se PS s´ka nevojë të ketë jetë partie, të ketë mbledhje dhe organizime, në një kohë që tashmë shikoj se ai po shprehet për jetë të vazhdueshme partie, jo vetëm në prag fushate.
Kur erdhi në krye të PS-së, z. Rama premtoi se do ta bashkonte akoma dhe më tepër partinë, do të dyfishonte radhët e saj dhe do të vlerësonte mendimin ndryshe. Kjo gjë nuk u provua më vonë. Mendoj se demokratizimin me të madh PS-ja e ka pasur në kohën kur në krye ish z. Nano, modeli i të cilit dhe sot është një shembull pozitiv për çdo forcë politike. Nano mendoj se vendosi standarde të reja. Kohët e fundit duket një tendencë për të reaguar pozitivisht. Para disa vitesh, kur erdhi në Durrës, Edi Rama tha se PS s´ka nevojë të ketë jetë partie, të ketë mbledhje dhe organizime, në një kohë që tashmë shikoj se ai po shprehet për jetë të vazhdueshme partie, jo vetëm në prag fushate
A mendoni se deputetët e Durrësit kanë ditur t´i mbrojnë tradicionalisht interesat e qytetit, apo vetëm kanë qenë satelitë të kryetarëve të partisë?
Unë do të flas për kohën kur ne kemi qenë deputetë të PS-së dhe PD-së dhe kur ishin në pushtet qoftë Pd-ja, apo dhe kur ishim ne. Deputetët e Durrësit kishin një bashkëpunim në mes tyre. Do t’ju jap një shembull, atë të ndërtimit të spitalit të ri që u zgjat në kohë. Ne së bashku e ngritëm si një problem të rëndësishëm. Kujtoj se në legjislaturën me përplasje shumë të mëdha të viteve 1992-1996 deputetët e Durrësit ditën të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin, madje z. Pjetër Arbnori deklaroi se bashkëpunimi i deputetë të Durrësit duhet të jetë model për të tjerët. Pavarësisht nga përplasjet e forta që kishim për çështje të tjera, ne dinim të gjenim rrugën e kompromisit për probleme që kanë të bëjnë me qytetin. Këtë gjë unë do t’ja kërkoja dhe deputetëve aktuale, të ngrenë zërin dhe bashkëpunojnë për interesat e Durrësit.
Z. Agasi, ju keni qenë drejtues i degës së PS-së së Durrësit, madje në vite kur kjo gjë nuk ka qenë kaq e lehtë. Cili është vlerësimi juaj se si po drejtohet aktualisht dega e Durrësit?
Unë kam mendimin se në vitet e para ishte vetë periudha kur në të gjitha forcat politike mbizotëronte idealizmi, si në PS ashtu dhe në PD. Për fat të keq kanë rrjedhur shumë vite, kanë rrjedhur shumë ngjarje dhe është zbehur shumë fytyra e idealizmit. Tani ka shumë llogari në jetën e çdo partie. Shikohen interesat e ngushta se ku mund të dalë interesi, kush vjen në pushtet dhe lëvizjet bëhen në bazë të interesave dhe jo të idealeve. Megjithatë nuk duhet të jemi shumë mosbesues, pasi në drejtimin e partisë kanë ardhur dhe elementë të rinj të cilët sjellin freskinë dhe dinamizimin si dhe një frymë të re brenda partisë. Unë e përshëndes ardhjen e tyre, por drejtimi i partisë nuk duhet të bëhet pronë individuale.
Cili është gjykimi jua mbi ndikimin që kanë në degët lokale të PS-së kryebashkiakët e majtë (përmend këtu rastin e z. Dako, z. Gjika etj)?
Përsa i përket kryetarit të bashkisë së Durrësit, z. Dako, mua më vjen mirë që të paktën është anëtar i kryesisë së Partisë socialiste të Shqipërisë. Kjo është një gjë e mirë dhe për Durrësin. Gjithsesi mendoj se në përgjithësi nuk duhet që ata që janë në pushtet të drejtojnë dhe partinë, ose të fusin një frymë diktimi në degët e partisë në rrethe.