Kur janë numëruar 178 kuti nga 481 në total dy kandidatët me votën preferenciale më të lartë nga dy kampet kryesore politike janë kryeministri Edi Rama nga PS dhe mjekja Manjola Luku nga PD.
Rama ka rritur me hapjen e kutive të mbrëmjes së sotme diferencën me ndjekësin e tij më të afërt deputetin Jurgis Çybja, ndërsa menjëherë pas tyre renditet një tjetër deputet i konsideruar nga socialistët si një makineri votash në Krujë, Rrahman Rraja.
Mjekja Manjola Luku vijon të mbetet më e preferuara mes demokratëve me 3517 vota, ndërsa pasohet nga studentja Andia Ulliri me 2720 vota. Dy figurat e reja të PD, të cilat dolën në pah gjatë kësaj fushate, kanë rezultuar deri më tani surprizat më befasuese të së djathtës. Madje Ulliri ka shkuar deri më tani kokë më kokë me Rrajën i njohur për influencën e tij të padiskutueshme në zonën e Fushë-Krujës. Pas Lukut dhe Ullirit renditet kreu i PD Shijak, Rezeart Tusha, me 2630 vota.
Ndërsa 3 emrat më të votuar deri tani të PS janë në listën fituese, në listën e PD Luku dhe Tusha kanë mbetur jashtë pjesës fituese. Duke llogaritur faktin që socialistët ishin të orientuar për ta dhënë votën e tyre preferenciale për Ramën, ndërsa Çyrbja konsiderohet një makineri votash nga të vetët, votat e marra deri më tani nga Luku dhe Ulliri tregojnë se demokratët u besojnë më shumë figurave të pakonsumuara dhe që kanë bërë një fushatë dinjitoze, sesa xhaketave të vjetra të PD, që së bashku me Bashën kanë “gjynahet” e tyre në fitoren e mandatit të tretë nga Rama.
PS
Edi Rama 4345 vota
Jurgis Çyrbja 3878 vota
Rrahman Rraja 2985
PD
Manjola Luku 3517
Andia Ulliri 2720
Rezeart Tusha 2630





