Partia e Lirisë kërkon interpelancë urgjente në Këshillin Bashkiak të Durrësit me kryebashkiaken Emiriana Sako për shkak të situatës së rëndë nga përmbytjet.

Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Tedi Blushi tha në një dalje për mediat se humbja e jetës së qytetarit sot nga përmbytjet tregon dështimin e shtetit në detyrën e tij. Kjo ngjarje mund të ishte shmangur nëse do të ishin ndërmarrë masa, tha Blushi, duke shtuar se kryeministri nuk mund të fshihet pas justifikimeve dhe fajësimit të qytetarëve për mbeturinat, duke iu referuar deklaratës së djeshme të kreut të qeverisë.

Sipas tij, “mbeturinat” e vetme që kanë paralizuar sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në Qarkun e Durrësit janë “Edi Rama dhe Emirjana Sako”, të cilët i bën përgjegjës për humbjen e jetës së punonjësit të komunales së bashkisë së Durrësit.

“E vërteta është e qartë dhe e dhimbshme, kanalizimet dhe hidrovoret nuk janë bllokuar nga qytetarët, por nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i shfrenuar, i Edi Ramës dhe Emirjana Sakos, që nuk ngopen së vjedhur taksat e qytetarëve të Durrësit por me babëzinë kriminale ju turrën për të gllabëruar edhe kanalizimet e hidrovoret, duke vjedhur të paktën 46 milion euro.”, tha Blushi.

Ai shtoi se është skandaloze fakti që shteti nuk është në gjendje të parandalojë, menaxhojë dhe reagojë në kohë ndaj situatave emergjente, ndërkohë që “ngrihet në këmbë” për të mbrojtur Belinda Ballukun, Ergys Agasin e të tjerë në afera korruptive.

“Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Durrësit ka kërkuar sot interpelancë urgjente me Kryetaren e Bashkisë, Emirjana Sako, për t’i dhënë fund heshtjes dhe shmangies së përgjegjësive përballë një katastrofe që nuk është vetëm natyrore, por mbi të gjitha produkt i vjedhjes, keqmenaxhimit dhe neglizhencës së qëllimshme.”, shtoi ai.

Deklarata e plotë:

Humbja e jetës së një qytetari si pasojë e përmbytjeve në Qarkun e Durrësit është një tragjedi shumë e rëndë dhe një dëshmi tronditëse e kapitullimit të shtetit që detyrën e tij themelore dhe obligimin kushtetues ka mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Një tragjedi e paralajmëruar, që mund dhe duhej të ishte shmangur, nëse Edi Rama, ministrat e tij dhe Bashkia e Durrësit do të kishin marrë masa reale efektive parandaluese, në vend që të fshiheshin pas justifikimeve cinike dhe të fajësonin qytetarët e përmbytur, që kanë humbur gjithçka nën ujë, duke i akuzuar padrejtësisht për bllokimin e kanalizimeve nga hedhja e mbeturinave.

E vërteta është e qartë dhe e dhimbshme, kanalizimet dhe hidrovoret nuk janë bllokuar nga qytetarët, por nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i shfrenuar, i Edi Ramës dhe Emirjana Sakos, që nuk ngopen së vjedhur taksat e qytetarëve të Durrësit por me babëzinë kriminale ju turrën për të gllabëruar edhe kanalizimet e hidrovoret, duke vjedhur të paktën 46 milion euro.

Mbeturinat e vetme që kanë paralizuar sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në Qarkun e Durrësit janë Edi Rama dhe Emirjana Sako, përgjegjës direkt për humbjen sot të jetës së një qytetari të pafajshëm, punonjës të komunales së Bashkisë së Durrësit.

Në emër të Partisë së Lirisë i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së viktimës, duke u bashkuar me dhimbjen e tyre në këtë moment të vështirë.

Kjo humbje jete nuk mund të trajtohet si një fatkeqësi e pashmangshme natyrore, por si pasojë e drejtpërdrejtë e papërgjegjshmërisë, neglizhencës dhe mosreagimit të duhur të strukturave shtetërore, të cilat prej ditësh kanë humbur në drejtim të paditur, duke lënë në të katër anët e vendit, mijëra familje në mëshirë të fatit dhe të motit, në kushte ekstreme pasigurie.

Është papërgjegjshmëri ekstreme dhe e dënueshme ligjërisht, që mijëra prona dhe biznese kanë pësuar dëme të pallogaritshme; institucione publike dhe private, çerdhe, kopshte, shkolla dhe qendra shëndetësore kanë dalë jashtë funksionit, duke paralizuar jetën normale të komuniteteve të tëra dhe Edi Rama, ky hajdut i pashpirt, të akuzojë qytetarët si shkaktarë të përmbytjeve.

Është skandaloze që në vitin 2026 shteti të mos jetë në gjendje të parandalojë, menaxhojë dhe të reagojë në kohë ndaj situatave emergjente.

Shteti duhet të ishte ngritur në këmbë prej kohësh, por për Edi Ramën dhe bandën e “Rilindjes” prioritet janë vjedhjet dhe trafiku i drogës, është mbrojtja e Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit dhe të gjithë aferave korruptive që po i vjedhin shqiptarët edhe sot kur mijëra prej tyre janë nën ujë.

Në emër të Partisë së Lirisë, kërkojmë me vendosmëri shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha zonat e përmbytura, veçanërisht në Qarkun e Durrësit, evakuim të menjëhershëm të banorëve dhe bagëtive në rrezik, si dhe dëmshpërblim të plotë, deri në qindarkën e fundit, për çdo pasuri të shkatërruar nga korrupsioni skizofrenik dhe papërgjegjshmëria kriminale institucionale.

Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Durrësit ka kërkuar sot interpelancë urgjente me Kryetaren e Bashkisë, Emirjana Sako, për t’i dhënë fund heshtjes dhe shmangies së përgjegjësive përballë një katastrofe që nuk është vetëm natyrore, por mbi të gjitha produkt i vjedhjes, keqmenaxhimit dhe neglizhencës së qëllimshme.

Nuk ekziston asgjë më urgjente për Këshillin Bashkiak të Durrësit sesa të mblidhet menjëherë, qoftë edhe në mesnatë, për të kërkuar llogari publike se ku kanë përfunduar milionat e investuara për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe pse qytetarët e Durrësit janë lënë sot në mëshirë të fatit, baltës dhe ujit.

Këshilli Bashkiak i Durrësit, nisur dhe nga tragjedia e humbjes së jetës së punëtorit të komunales, një ngjarje që rëndon mbi ndërgjegjen e institucioneve lokale, duhet të mblidhet sot, jo nesër, për të bërë transparencë të plotë mbi menaxhimin e fondeve për emergjencat civile dhe për të qenë realisht pranë banorëve të përmbytur, jo me fjalë boshe, as me foto dhe reels-a nga Facebook, por me veprime konkrete, efektive dhe përgjegjësi politike.

Durrësi meriton llogaridhënie, drejtësi dhe zgjidhje tani dhe Partia e Lirisë është e vendosur për të bërë gjithçka në mbrojtje të pronave, shëndetit dhe jetës së qytetarëve.