Në tryezën e Partisë Socialiste për ekonominë kreu i saj Edi Rama tha se Shqipëria po mbytet në borxhet, ashtu si po mbytet në listat e dyqaneve çdo familje shqiptare që nuk ka punë apo që puna nuk i mjafton për të mos u futur në borxhe. Ai tha se qeveria po e falimenton ekonominë dhe se sot korrupsioni ka arritur majat në këto 100 vite të funksionimit të shtetit. Sipas liderit socialist kryeministri Berisha po e tërheq vendin drejt rrënimit të mëtejshëm për të rritur monopolet e ortakëve të tij në biznes.
“Sipërmarrësit po mbyten në borxhet që i kanë njëri-tjetrit, qeveria po e falimenton ekonominë me një model mbytës. Sot ekonomia familjare qëndron nën peshën mbytëse të korrupsionit më të madh të shtetit shqiptar", tha ai. Shitja e pasurive kombëtare siç e quajti Rama privatizimin e Albpetrol apo të 4 hidrocentraleve thellon borxhin e shqiptarëve.
“Kryeministri ka nxjerrë në shitje çdo pasuri të këtij kombi për të shtuar ditët e tij në karrige. Shteti privatizon për të ndarë barrën e administrimit me një privat, por ajo që po ndodh me këto 4 hidrocentrale do të thotë të privatizosh vetëm fitimin. Nga ky lloj privatizimi shqiptarët humbasin 20 milion dollarë, thellohet borxhi i shqiptarëve. Asnjë shtet nuk ka nxjerrë në privatizim të drejtën e vetë në emër të qytetarëve që përfaqëson. Shuma që kjo e drejtë përbën në një vit është 50 milionë dollarë, pra ata që marrin Albpetrolin në fund të vitit fitojnë 50 milion dollarë”,- shtoi Rama.
Duke u ndalur në alternativat që ofron programi ekonomik i së majtës, Rama tha se shqiptarët sot kanë mundësinë të bëjnë zgjedhje mes rrënimit të mëtejshëm dhe rimëkëmbjes. Sipas tij detyra e së majtës do të jetë rikthimi i shpresës tek njerëzit.
“Ne ofrojmë një zgjedhje mes dy botësh, i takon shqiptarëve të zgjedhin nëse duan të jetojnë në botën ku familja të jetë pjesë e BE jo me letra po me standarte, apo të jetojnë në një botë fotografish të të afërmeve të tyre me të parët e botës, ndërsa në jetën e tyre të mos kenë me se të marrin fryme, e të mos arrijnë fundin e muajit. Ne kemi detyrimin të formësojmë një alternativë që nuk është shkruar në letër, por që çlirohet nga gjithë ato shpirtra të ndrydhura sot. Ne duam të ndryshojmë jetën e njerëzve përmes një qeverie të Partisë Socialiste. Dëshpërimi nuk është aleat i ndryshimit, është detyra jonë t’i bëjmë njerëzit të shpresojnë”,- tha kreu i PS.
Ndërsa u ndal në problematikën e punësimit kreu i selisë rozë nënvizoi faktin se në këta 7 vite të qeverisjes së demokratëve Shqipëria ka më pak të punësuar. Sipas tij sot 50% e shqiptarëve janë të papunë. Duke u ndalur në alternativën që ofron programi ekonomik i opozitës, Rama tha se me të ardhur në pushtet e majta do të heqë taksën e korrupsionit, referencat.
Sipas tij, nuk mund të paguajë njësoj si pastruesja e kryeministrit ashtu edhe vetë kryeministri, nuk mund të paguajnë njësoj si shoferi ashtu edhe ministri, apo si një person që shet gazeta poshtë hotelit dhe vetë hoteli me 5 yje. “Të gjithë do paguajnë në bazë të asaj që fitojnë. Programi ynë do kthehet nga një tekst i shkruar në një frymë të përbashkët ndryshimi. Ne kemi vizionin për një model të ri ekonomik. Nuk premtojmë parajsën, por të gjithëve do t’ju japim garancinë që do jemi të parët që bëjmë atë që themi dhe do të themi vetëm atë që mund të bëjmë”, e mbylli fjalën e tij në forumin për ekonominë Edi Rama.