TIRANE, 6 maj 2013- Kreu i PS-së Edi Rama kadeklaruar sot se do të jetë kandidat për deputet në Vlorë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Në një konferencë për shtyp nga selia rozë, kryesocialisti Rama sqaroi edhe arsyet të cilat e shtynë që të kandidojë në qarkun e Vlorës.

“Kam vendosur të jem në krye në listën e Vlorës me një mesazh shumë të qartë jo për Vlorën, por për Tiranën, Shkodrën e Prishtinën, me mesazhin e kryeqytetit të pavarësimit të shtetit shqiptar dhe fillimit të rrugës së shtetit shqiptar, të domosdoshmerise që të gjithë bashkë të rinisim rrugëtimin për të hapur me faqe të bardhë kapitullin e dytë të 100 vjetëve të dyta të shtetit tonë, që sapo fillon dhe s’mund të vazhdojë si inerci e 8 viteve rrënim skandaloz” tha Rama.

Kryesocialisti Rama ka konfirmuar gjithashtu se Erjon Braçe është në listën e kandidatëve për deputetë.

“Mosqënia në listë e Erjon Braçes është spekulim, ai është një nga pjesetarët e skuadrës dhe për të mos bërë përjashtim nga të tjerët ka vendin që i takon në frontin e një beteje ku ne nuk jemi për vete po për qëllimin e përbashkët, duke përputhur atë që japim me atë që kërkohet nga cdo territor. Brace gëzon të gjithë respektin dhe vlerësimin tim në funksion të një beteje ku askush nuk është i domosdoshëm por të gjithë janë të nevojshëm” shtoi më tej kryesocialisti.

Rama ka falenderuar deputetët të cilët nuk janë të përfshirë në listë për gjithë rezistencën dhe kontributin e dhënë ndërsa shtoi se rikonfigurimi i listës është i domosdoshëm.

“Me shumë mirënjohje, me shumë respekt dhe me vlerësimin më të lartë falenderoj deputet e PS-së që në këto 4 vjet kontribuan në rezistencën opozitare, në përgatitjen e ballafaqimit opozitar dhe për hir të rikonfigurimit të domosdoshëm nuk do të jenë të përfshirë në skuadrën tonë kombëtrare por janë treguar të gatshëm duke qënë vija e parë të mbështetjes’ tha Rama.

Ndërsa ka garantuar se skuadra rilindjes do të jetë e gatshme dhe e aftë të fitojë zgjedhjet, kryesocialisti Rama theksoi se në listën e PS-së do të ketë më shumë gra se në zgjedhjet e kaluara.

“Kjo skuadër do të ketë më shumë gra për vlerësim të barazisë gjinore, shprehje të vullnetit për të ndarë përgjegjësi, konsolidim të asaj që është ndërtuar ndër vite dhe riafirmim të vlerave duke përfshirë energji të reja. Ne nuk jemi ende aty ku do të dëshironim të ishin por rëndësi ka që shkojmë drejt realizimit të një objektivi strategjik të PS-së që është barazia gjinore në prespektivën tonë për një të ardhme europiane” shtoi Rama.

Ndërkohë pritet që në orët në vijim kreu i PS-së Edi Rama të publikojë listën e plotë të kandidatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit.