Mesfushori kosovar Valdet Rama vlerëson se ka shumë për t’i dhënë Kombëtares së Shqipërisë. Por 25-vjeçari fillimisht synon të dëshmojë se është lojtar për ligën më të fortë europiane të futbollit, atë spanjolle La Liga.
Rama të martën ka nisur stërvitjet me skuadrën Real Valadolid, për të cilën firmosi më 31 janar.
Me transferimin në kampionatin spanjoll, Rama është bërë interesant edhe për Kombëtaren e Shqipërisë.
Drejtori i ekipeve kombëtare, Redi Jupi, ka bërë të ditur se zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit do të udhëtojnë në Spanjë për të takuar Ramën dhe për t’i bërë me dije synimin që ai të afrohet në ekipin kombëtar.
“Jam i interesuar t’i bashkohem Kombëtares së Shqipërisë. E di që kam kualitetin që kërkohet për të luajtur për të. Besoj se do të isha i vlefshëm.
Kam ndjekur ndeshjet e Shqipërisë dhe mendoj se do mund të luaja në disa pozicione, në krahun e majtë të mesfushës, krahun e djathtë apo edhe në mes”, – ka thënë Rama të mërkurën.
Futbollisti nga Mitrovica theksoi se është kontaktuar nga një zyrtar i FSHF-së vetëm gjatë kohës kur luante për Orebron në Suedi, por jo në ditët e fundit.