Qeveria shqiptare ka vendosur që të krijojë një Komitet të Posaçëm Ndërministror për përballimin e pasojave të luftës. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama.
“Po e bëjmë këtë komunikim për të informuar lidhur me krijimin e një Komiteti të Posaçëm Ndërministror për përballimin e pasojave të Luftës. Ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi si të gjitha vendet e tjera të NATO-s edhe më gjerë në fakt se sa vendet e NATO-s, në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik si rezultat i daljes krejtësisht nga binarët e normalitetit të kostove dhe të vlerave në çmim të mallrave të konsumit.
Dëshirojmë të flasim në mënyrë specifike për energjinë, pasi është edhe palca e shtyllës kurrizore të të gjithë sistemit ekonomik, ndërkohë që kërcënimi i thellimit të krizës energjetike vjen duke u rritur jo më çdo muaj, por çdo ditë”.





