Kryeministri Edi Rama tha të hënën vonë në mbrëmje se do të nisë sa më shpejt një tur falënderimesh nëpër Shqipëri. E pikënisja do të jetë pikërisht Shkodra. Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, pas fitores së socialistëve në zgjedhjet e së dielës, Rama pati vlerësimet më të larta për qytetin verior.

“Unë e kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër, për të nisur nga qyteti më i bekuar nga Zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falenderimi në të gjithë Shqipërinë.

Dhe jam i bindur që ne mund të bëjmë një histori të re në Shkodër. Në shumë dimensione, Shkodra e kam thënë prej kohësh, e kam thënë edhe gjatë fushatës, e përsëris edhe tani që zgjedhjet kanë mbaruar dhe ne kemi marrë fitore. (Shkodra është ) qyteti dhe zona më e bekuar e Shqipërisë. Nuk ka asnjë të dytë. Mbase edhe në Europë, nuk ka një qytet tjetër, që ka atë bekim, me lumin, me liqenin, me detin, me kodrat, me malin dhe me alpet mbi kokë”.