Tiranë, 21 gusht 2014 –  Për herë të parë, kryeministri Edi Rama ka folur publikisht përpara mediave për superskandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. 

Kreu i ekzekutivit ka shpjeguar edhe heshtjen e tij për këtë çështje përgjatë kësaj kohe. Duke risjellë në vëmendje, se Banka Qendrore është një institucion i pavarur, ai iu përgjigj pyetjes se, përse nuk ka kërkuar dorëheqjen e guvernatorit Adrian Fullani.

Në konferencën për shtyp, të parën pas ndërprerjes së pushimeve verore, kreu i ekzekutivit i është përgjigjur, për më shumë se dy orë, interesimit të medias, por edhe publikut përmes rrjeteve sociale.

I pyetur për kthimin e ligjeve të rëndësishme nga Presidenti Bujar Nishani, kreu i ekzekutivit tha se veprimi i tij përcolli qëndrimin e PD.

Marrë parasysh një kthim të paralajmëruar nga Presidenti edhe të ligjit për Reformën Territoriale, shefi i qeverisë tregoi vendosmërinë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore në pranverën e vitit 2015 me këtë ndarje të re territoriale.

Bashkëbisedimin e tij me gazetarët, të organizuar gjatë kësaj të enjteje, për të cilën kishte njoftuar edhe nëpërmjet rrjeteve sociale Twitter e Facebook, nga të cilat do t’iu përgjigjej të gjitha pyetjeve të të interesuarve, kryeministri i vendit Edi Rama e ka nisur me turizmin. 

Kreu i qeverisë theksoi fillimisht rritjen e numrit të madh të turistëve, pastërtinë e plazheve ndryshe nga herët e tjera, për shkak të angazhimit të Forcave të Armatosura kryesisht, por edhe ndërhyrja e institucioneve publike si dhe e një numër të madh vullnetarësh, të organizuar edhe nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Kryeministri përmendi edhe vendosjen për herë të parë të kullave të vëzhgimit, si dhe punësimin e rojeve bregdetare profesionistë në këto kulla. Përgjithësisht, pamja e turizmit sipas kryeministrit është pozitive, sa i përket bilancit të arritjeve deri më tani, por problematikat janë ende aty, siç theksoi Rama, si mbetja e akseve të hapura për shkak të gjendjes në një situatë të gropës së borxheve të mëdha ndaj punëve publike, që krijoi qeveria e kaluar dhe që ka vendosur në vështirësi shumë firma private. Zoti Rama përmendi në veçanti rrugën Lin-Pogradec, që ka mbetur ende e papërfunduar, pavarësisht se po bën shumë vite nga nisja. Një tjetër problem i përmendur nga zoti Rama ka qenë ai i kanalizimeve, për të cilin ka tashmë një projekt madhor, si dhe forcimi i masave kundër krimit mjedisor.

Pika e dytë e analizuar nga kryeministri Rama ka qenë rendi. “Nuk mund të mos jemi sot optimistë për punën e bërë nga Ministria e Brendshme dhe nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë në vend”, u shpreh Rama në nisje të kësaj teme. Gjithashtu u përmend edhe futja për herë të parë e monitorimit të trafikut nëpër akset më të ngarkuara përmes helikopterëve. Sipas Ramës, kanë qenë mbi 2300 forca policore që janë angazhuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Rama tha se janë ngritur 4 posta policore nëpër zonat turistike, si dhe përmendi shifrat gjithnjë e në ulje të rasteve të aksidenteve, të vjedhjeve, të vrasjeve, duke përmendur respektivisht me përqindje edhe uljen e numrit të viktimave apo të plagosurve, si pasojë e punës së vazhdueshme të Policisë së Shtetit, pavarësisht gjendjes së rrugëve kombëtare, që nuk i përngjajnë atyre të një vendi europian. 

Sa i përket fushës së ekonomisë, pikë së pari kryeministri Rama ka analizuar çështjen e energjisë, duke premtuar intensifikimin e goditjes ndaj vjedhjes së energjisë dhe ndërhyrjeve të jashtëligjshme në rrjet. Por nuk kanë ngelur pa analizuar edhe të dhëna financiare të tjera, si rritja e besimit të konsumatorit tek ekonomia, indeksi i tregtisë me pakicë, rritja e konsiderueshme e eksporteve, rritja e investimeve kryesisht në fushën energjitike në bregdet. Modeli i ri ekonomik i ndërmarrë nga qeveria aktuale shihet si favorizuese ndaj të gjitha këtyre përmirësimeve të dukshme, siç thekson zoti Rama.

Për t’u ndalur më pas te punësimi, Rama ka vlerësuar me superlativa punën e bërë nga Zyrat e Punës të hapura nga qeverisja socialiste, të cilat kanë punësuar mbi 10 mijë vetë, që kanë regjistruar mbi 20 mijë vende të lira pune, shumë më tepër nga disa vite më parë, por mbi të gjitha vlen të theksohet rritja e skajshme e njerëzve që u drejtohen këtyre zyrave për të kërkuar punësim, pavarësisht anatemimit që i bëhet padrejtësisht nga opozita. 

Lufta ndaj informalitetit do të vijojë me ritme intensive, ashtu siç kanë qenë të kënaqshme edhe ritmet e deritanishme, në të gjitha doganat dhe zyrat e tatim-taksave. Do të vazhdohet të jemi në lartësinë e duhur të kontrollit të shtetit mbi aktivitetin tregtar, ekonomik dhe financiar, si dhe mbledhjes së të gjithë detyrimeve nga TVSH e të tjera, duke luftuar skemat grabitqare të TVSH-së në periudha të kaluara.