Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar në konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian që mbahet në Bruksel të martën me 17 Dhjetor. Bëhet fjalë për grupkapitullin e 6-të që përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes.
Takimi pritet të mbahet në kryeqytetin belg grupkapitulli për politikën e jashtme dhe do të finalizohet në një kohë të shkurtër pasi vendi ynë ka treguar vullnet maksimal për të njehësuar vendimmarrjen me Brukselin në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë si dhe qëndrimin për konfliktin në rripin e Gazës.
Konferenca e Tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksemburg më 15 Tetor, ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit pjesë e çështjeve themelore si Gjyqësori të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.
Në këtë ritëm të shpejtë në negociata vlerësohet roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë si SPAK-u në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri Rama synon që procesi i negociatave të përfundojë në 2027, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian.
Të mërkurën Rama do të ulet së bashku me liderët e tjerë të rajonit në tryezen e samitit me 27 homologët e BE-së eventi i parë i kryesuar nga presidenti i ri i KE Antonio Costa e po ashtu komisionerja e re për zgjerimin Marta Kos.