Tiranë, 30 maj 2014 – Kryeministri Edi Rama deklaroi se maxhoranca në Komisionin hetimor parlamentar ka nxjerrë fakte të pakontestueshme se historia e trafikut të drogës me avionë ka ndodhur para marrjes së pushtetit nga e majta në shtator të 2013. Gjatë intervistës në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, në “Top Channel”, Rama hodhi poshtë akuzat se ka pasur trafik droge gjatë 9 muajve të qeverisjes së tij.
 
Do doja një koment të shkurtër për situatën në Kuvend. Do ta mbani premtimin që nuk do merreni më me z.Berisha? 

Dua ta them si deputet i ri, që ajo sallë është e dënuar të bëhet hapësira e një njeriu që mban peng jo tanimë vendin, por PD-në. Pavarësisht se ka shumë gjëra të rëndësishme për të diskutuar, është vërtetë për t’u ndjerë jo mirë, kur pa dashje përfshihesh në atë vorbull, edhe pse e dinë shumë mirë njerëzit dallimin mes nesh dhe atyre që sot janë në opozitë. Për sa më takon, unë e konsideroj të mbyllur replikën dhe polemikën me liderin e opozitës. Është për fat të keq, një personazh i degraduar që udhëheq procesin e degradimit të parlamentit, por mes dhënies së hapësirës për opozitën që të jetë e pranishme dhe të flasë dhe zbatimit strikt të rregullores që shkelet prej opozitës, besoj që kryetari i Kuvendit edhe me miratimin tonë ka zgjedhur të parën në mënyrë, që parlamenti të jetë pasqyra e zgjedhjes së bërë nga populli. 

Disa njerëz kur ju shohin që edhe ju ngriheni pas Berishës… 

Unë këtë e refuzoj, se pavarësisht se mund të ketë pasur në parlament marrëdhënie të vështira mes nesh dhe atyre momenteve kur ne kemi rënë në nivelin ku ata imponojnë, nuk ka asnjë gjë që mund të na bëjë të ngjashëm si dy pika uji, ashtu si nuk ka asgjë që të më bëjë mua dhe qeverinë të ngjashme me atë të deridjeshmen. 

Mendoni që në Divjakë ngrihen vetëm mushkonja, apo edhe avionë? 

Ne i kemi qëndruar fatmirësisht plotësisht besnikë një zotimi që është themelor. Ne nuk kemi ardhur në qeveri për të gënjyer njerëzit, ashtu sikundër ne nuk kemi ardhur në qeveri për të përsëritur gabimet e paraardhësve tanë. Kur kemi thënë se nuk zotërojmë asnjë fakt lidhur me ekzistencën e kësaj forme trafikimi në ajër, kemi qenë korrektë. Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe Shërbimi Sekret, duke bërë një deklaratë publike. 

Por pak ditë pas kësaj ndodhi ngjarja… 

Ky është aspekti tjetër i problemit, që ne nuk duhet të habitemi dhe të na duket se ky është fundi i botës, sepse s’duhet të harrojmë që kjo formë e trafikut ekziston, po ju përsëris ne nuk kemi pasur asnjë provë. Po dalin edhe prova të tjera, që i përkasin kësaj veprimtarie dhe që vërtetojnë se pse zotërinjtë ishin të sigurtë se bëhet edhe me avionë. Me sa duket e kanë bërë vetë kur ishin në pushtet. Bëhet fjalë për një formë trafikimi me të cilin vendet e tjera të BE janë familjarë dhe e dinë që u ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Lufta me drogën është një luftë që e zhvillojnë të gjitha shtetet. Ka një krim të organizuar ndërkombëtar. Unë jam njohur përmes një informacioni që më ka përcjellë kryetarja e komisionit hetimor, e cila e ka udhëhequr. Mesa duket e kanë bërë vetë ata kur ishin në pushtet, sepse kjo është zbuluar nga komisioni hetimor që drejtohet nga një deputete me eksperiencë në drejtësi. 

Ka struktura shtetërore të përfshirë në të? 

Jam njohur me raportin e komisionit, që është i pari komision serioz që ka funksionuar dhe që do të japë prova konkrete se si kjo ka ndodhur më parë. 

Që ka ndodhur para se të vinit ju në pushtet? 

Po, ka ndodhur para shtatorit. Unë dhe ministrja e Mbrojtjes jemi në dijeni të informacioneve të klasifikuara. 

Ka prova se kjo është bërë para shtatorit, kur ju morët qeverinë? 

Me sa duket po. Është bërë një spekulim që dua t’ua sqaroj njerëzve lidhur me ministren e Mbrojtjes, për një informacion të klasifikuar që nuk mund të përdoret dot. Doli në publik dhe u përdor si provë kundër ministres së Mbrojtjes. Ministrja e Mbrojtjes ka zbatuar me korrektësi ligjin. Unë kam qenë në dijeni të informacionit të klasifikuar edhe kur kam folur për mushkonjat. Por ky informacion flet për dyshime të pakonfirmuara. Ministri i Brendshëm ka qenë me strukturat përkatës në trajtimet me informacionet, për të ndjekur hap pas hapi nëse vërtetë këto dyshime kishin të bënin me këto prova. Pavarësisht se si ndodhi me avionin, strukturat përkatëse kanë qenë të vendosura në atë zonë prej një muaji dhe kanë qenë në pritje për të konfirmuar informacionet e marra, por nuk e kanë pritur një gjë të tillë nga ajri. 

Çfarë informacionesh ka komisioni hetimor? 

Nuk dua të jap detaje. Mund t’ju them vetëm kaq: që informacioni që kam marrë para se sa të bëhen publike, mua më ka tronditur, për faktin se provon atë që unë nuk e kam besuar, që në Shqipëri mund të kishte një linjë të tillë droge. Kjo ka ndodhur edhe në periudhën që qeverisnin zotërinjtë. Më besoni që sot jam më i bindur se ku e gjen Sali Berisha fuqinë për të akuzuar me fjalorin më të patolerueshëm çdo kundërshtar. E gjen tek fakti i thjeshtë se gjërat me të cilat shpif, i ka për vete. 

Dje është arrestuar një person i tretë për ngjarjen e Divjakës. Çfarë di më shumë qeveria për këtë? 

Unë u qëndroj të gjitha atyre që kam thënë. Ka qenë një periudhë e vështirë kjo, duke u ndodhur përpara një vale aspak normale sulmesh të opozitës, bazuar në një turravrap për të përbaltur qeverinë në një periudhë kur Shqipëria pret statusin e vendit kandidat. Është shumë e rëndësishme të theksohet se në këtë situatë ne jemi në kontakt nga partnerët ndërkombëtarë. Nga njëra anë marrim përgëzime, marrim inkurajime se më në fund po luftohet droga në Shqipëri. Disponojmë sot prova të pakontestueshme se kjo ka ndodhur më parë. Që avioni që u kap, po që ngeci, por në të gjitha rastet do kapej. Me sa duket, kjo ka ndodhur edhe më përpara, jo në periudhën që qeverisim ne. 

Pra, ju e përjashtoni? 

Unë e përjashtoj si mundësi përsa kohë nuk kemi pasur asnjë fakt e provë, ndërkohë që kemi qenë të alertuar për të provuar çdo dyshim. 

Po akuzoni ata që kanë qenë më parë në pushtet… 

Disponojmë prova të pakontestueshme se kjo ka ndodhur më parë. Mbledhja e forcave të policisë rreth plazhit të Divjakës ishte para se të rrëzohej avioni dhe planifikohej të kapej pjesa në tokë, jo avioni. 

Nuk kemi dëgjuar asgjë të flitet direkt nga zoti Meta për ngjarjen e Divjakës. Pati një ngacmim nga Luan Rama te VOA. 

Besoj se ne jemi qeveria e parë, të paktën sa më kujton eksperienca ime, që punon si një skuadër dhe ju siguroj që s’ka asnjë dallim. Të gjithë ministrat janë të angazhuar. Zoti Meta është kryetar i Kuvendit dhe realisht po bën një punë të lavdërueshme, ashtu siç duhet të jetë si kryetar i Kuvendit mbi palët, që nuk është e thjeshtë. Dhe nga ana tjetër, për asnjë moment nuk mund të them se edhe kur ka pasur ndonjë debat normal, brenda shumicës të ketë pasur ngacmime. 
Ka gjëra për të përmirësuar, në radhë të parë në ritmin që duhet të zhvillohen marrëdhëniet mes qeverisë dhe grupeve parlamentare. Por në thelbin e vet Aleanca për Shqipërinë Evropiane është një strukturë që do ta ndryshojë vendin. 

Kalojmë te grevat. Përse nuk shkoni ju të negocioni? 

Me siguri do isha i pari që do kisha shkuar për të takuar grevistët e urisë apo grevistë jourie, që paraqesin një platformë, një numër kërkesash dhe mbështesin një kauzë. Por si mundet? Çfarë dialogu? Si mund ta ndërtojmë dialogun me njerëz që janë aty për faktin që janë hequr nga puna dhe duan të kthehen në puë, ndërkohë që një pjesë kanë humbur në gjykatë, që nuk kanë ende një vendim? Ku është parë në botë që të hyhet në grevë urie për punë. Mund të ketë ndodhur që mund t’u jetë shkelur e drejta dhe janë larguar nga puna një pjesë. Por si është e mundur që të kishin zgjedhur që realisht edhe ne do të na vinin në pozitë të vështirë. Kanë zgjedhur njerëz që kanë pasur probleme të rënda në vendet e punës me korrupsion. 

Kur do kthehet në një fshat normal Lazarati? 

Di të them që në 7 muaj janë goditur 807 raste dhe nuk impresionohem nga ata që i shohin nga larg gjërat dhe as nga aksionet simbolike. Ne kemi një plan të qartë. Do ta transformojmë shtetin dhe policinë e tij. Ne do të çrrënjosim drogën si një simbol negativ për Shqipërinë, edhe pse lufta kundër drogës nuk ka përfunduar gjëkundi dhe s’do përfundojë as në Shqipëri. Do të jetë një luftë e vazhdueshme. Çfarë prisni që të ndodhte më shumë brenda këtyre pak muajve, ndërkohë që Policinë e Shtetit e morëm në dorëzim si një turmë të tradhtuar me një kupolë të inkriminuar dhe këtë e thoshte raporti i DASH për lidhjet e krimit me zyrtarët e Policisë së Shtetit? Një polici, e cila ishte lënë mënjanë edhe nga partnerët. Një nga arsyet pse po kapet kaq shumë drogë është fakti që jemi rilidhur me partnerët dhe nuk po luftojmë më vetëm. Lidhjet u prenë sepse operacionet, që normalisht bëhen në bashkëpunim në më shumë se një rast, u dështuan nga fakti se ata që duhet të binin në rrjetën e policive, u ndaluan përpara nga kupola e Policisë së Shtetit dhe kur vendet e tjera panë që ishte e pamundur të bëhej bashkëpunim, u shkëputën. 
Ministri i Jashtëm ka çuar në prokurori firmëtarët e Marrëveshjes së Detit me Greqinë. Pse? Duket si kundërsulm. 
Unë e di shumë se çfarë përjetojnë shqiptarët negativisht në raport me ne, faktin që ende nuk kanë dalë para drejtësisë përgjegjës të peshës së rëndë. 
Na keni thënë ‘Fazlliç, Fazlliç’ sa keni qenë në qeveri dhe brenda dhjetorit nënshkruat një marrëveshje me kompaninë e tij. 
Kjo është gënjeshtër… Shpresoj që prokuroria do të çojë përpara një sërë çështjesh që janë të rënda, që janë publike dhe që nuk i kemi bërë publike. Çështje të rënda implikimesh që kanë shkuar deri në kërcënim të stabilitetit të vendit dhe sigurisë kombëtare. 

Kjo është shumë e rëndë? 

Ju siguroj që prokuroria ka në tryezë jo një, por shumë çështje të rënda që implikojnë ministrat dhe persona të lidhur me majën e piramidës. Nuk duhet të ushqejë njeri iluzionin se ne do të rrimë duarkryq. Ja u them siç e kam ndier edhe përpara kancelares Merkel. “Zoti kryeministër – më tha – unë i kuptoj të gjitha arsyet tuaja se pse kërkoni që Shqipëria të marrë statusin, por dëshiroj t’ju pyes ju a mundet që një vend si Shqipëria, që ka këtë drejtësi të marrë statusin?” dhe përgjigja ishte ‘Jo’. 
Ne do të bëjmë një reformë të drejtësisë dhe do të jemi në veprim të vazhdueshëm, por nuk kemi as mandate gjykatësi dhe as prokurori. Ne sehir nuk do bëjmë. Do bëjmë gjithçka. 

Ju sapo jeni kthyer nga një vizitë në Holandë. Gazetat kishin shkruar se në 11 qershor do takoni Presidentin Hollande. 

Nuk janë miqtë e mi as kancelarja gjermane, as Presidenti i Francës. Janë rezultatet e Qeverisë shqiptare që po krijuan që me kryeministrin e Holandës të kisim një takim. Ne po ia ngremë kokën Shqipërisë në sytë e Evropës. Kur unë thosha në dhjetor që Shqipëria u penalizua nga ekstremistë në vendet anëtare, shumëkush dhe me gjithfarë mënyrash e përqeshën këtë që thashë unë, ndërsa sot jemi përpara provës, jo vetëm Shqipëria u penalizua, por që nga ana tjetër, vetë BE po penalizohet për shkak të rritjes së këtyre forcave ekstremiste dhe unë kam qenë shumë i hapur me të gjithë ata që kam takuar. Ua kam thënë në sy që rruga e zgjedhur nga disa prej forcave të moderuar për të luftuar me këta idiotë që duan të shkatërrojnë BE, që janë shprehje e tendencave raciste, antimyslimane, që janë me forcë të prirur që ta refuzojnë dhe përbuzin Shqipërinë dhe gjithë rajonin… 

Sapo quajtët një të tretën e Parlamentit Europian idiotë. Në një intervistë keni quajtur injorantë 90 të deputetëve, duke u thënë që nuk njohin mekanizmin e dhënies së statusit. Mendoni që këto deklarata nga Kryeministri i Shqipërisë ndihmojnë kur kanë mbetur pak ditë nga statusi? 

Unë u qëndroj deklaratave të mia. Dhe kam quajtur të paditur 90 për qind të deputetëve të vendeve anëtare që nuk e dinë ndryshimin mes statusit, negociatave dhe anëtarësimit dhe kjo është e vërtetë. 

Edhe njëherë, do e marrim apo jo statusin? 

E rëndësishme është që Komisioni Europian thotë ‘Po’ dhe ky është matësi ynë. Ne na duhet një raport pozitiv nga Komisioni dhe këtu e kemi kryer detyrën dhe në momentin që vendet anëtare ulen për ta diskutuar… një pjesë kanë probleme të mëdha me veten. 

Ajo deklarata e juaj që nuk ka krim të organizuar shqiptar… 

Nuk ka sepse krimi i organizuar është i përbashkët. Nuk ka krim të organizuar shqiptar, shqiptarët janë të lidhur me grekët, italianët, etj. Mesazhi që përcjellim kudo është që Ballkani dhe Shqipëria i duhen Europës, aq sa na duhet Europa ne, sepse një Europë e siguritë është një Europë e integruar. Ndërveprimi në luftën kundër krimit sjell më shumë rezultate. Unë nuk e pranoj kurrë që krimi i organizuar qenka shqiptar, prostitucioni qenka shqiptar. S’mund të identifikohet Shqipëria me prostitucionin, sepse tregu i prostitucionit është në Europë, jo në Shqipëri. Sot ne jemi shumë të vetëdijshëm, jemi një vend i vogël, jemi një vend në mes të Europës, por kemi zërin tonë dhe nuk lejojmë njeri, as që të na marrin nëpërkëmbë, as të na marrin për budalla. Shqipëria nuk do të merret më nëpërkëmbë. 

Ka rezonancë mes shqetësimeve të opozitës dhe ndërkombëtarëve? 

Zero! Nuk ka. Sot ambasada amerikane bëri një deklaratë ku tha se duhet të reflektojë Sali Berisha. Flasin kur ka diçka për të thënë dhe nëse do të ishin të vërteta të gjitha këto që thotë opozita do të kishte shpërthyer gjithë Europa që këtu ka plasur korrupsioni, ka ardhur karteli i drogës etj. Është arrestuar një gjeneral i korruptuar dhe ai sot doli në mbrojtje të tij. Ne nuk e shikojmë opozitën si një problem, e shikojmë si një ndihmë, sepse nëpërmjet kritikave të saj na ndihmon të sistemojmë pozicionet.